Futboll

Shiti lojtarin 100 mln euro, Shakhtari jep 23 mln për ushtarët dhe familjet e tyre

Gazeta Si – Shitja e Mikhailo Mudrik për 100 milionë euro (70 menjëherë dhe 30 bonuse) nga Shakhtar Donetsk te Çelsi nuk i përket vetëm klubit ukrainas. Presidenti i Shakhtarit, Rinat Akhmetov, ka bërë të ditur se 23 milionë euro do të shkojnë për të ndihmuar ushtarët dhe familjet e tyre.

Ai saktësoi se shuma e përmendur më lart do të “përdoret për nevoja të ndryshme të ushtarëve dhe familjarëve, si kura mjekësore, proteza dhe suport psikologjik e kërkesa të tjera specifike. Për të garantuar trasparencë, projekti do të ketë një skuadër të pavarur, që do të jetë në kontakt me ata që mbrojnë Azovstalin, familjet e tyre, sanitarët dhe vullnetarët”.

Mudrik, lojtari ukrainas i shitur nga Shakhtari te Çelsi. Gazeta Si, 16 janar 2023

Fondi i përcaktuar nga klubi ukrainas përfshihet në projektin “Heart of Azovstal”, të lançuar nga Akhmetov për të ndihmuar ata që mbrojnë Mariupolin dhe familjet e ushtarëve që kanë humbur jetën.

“Aktet e tyre kurajoze nuk krahasohen në historinë moderne. Ata, me sakrificat e tyre, kanë kontribuar për të mbajtur larg armikun në muajt e parë të luftës”, ka theksuar presidenti i Shakhtarit. “Sot mund të flasim për futbollin ukrainas falë ushtrisë ukrainase, popullit ukrainas dhe ndihmës së madhe nga e gjithë bota. Vetëm duke bashkuar forcat do ta mposhtim të keqen që ka ardhur në shtëpitë tonë”, ka shtuar Akhmetov.

Presidenti shpjegoi më tej se ëndrra e tij e madhe është të fitojë në Europë: “Për fat të keq, tani është e pamundur. Ukraina po ndeshet me luftën e padrejtë dhe të tmerrshme të Rusisë. Jam i bindur se do të fitojmë. Do të luajmë një miqësore me Çelsin në ‘Donbass Arena’, në një Donetsk ukrainas”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë