Gazeta Si – Mançester Junajtid ka fituar 2-1 me përmbysje derbin me Sitin, duke iu afruar në 1 pikë skuadrës së Guardiolës. Sfida e javës së 18-të të Premier Ligës i ruajti emocionet më të mëdha për pjesën e dytë të saj.
Pas një ore lojë, Mançester Siit kaloi në avantazh. Guardiola hodhi në fushë Grilish, i cili vetëm pas pak minutash realizoi me kokë, pas një krosi perfekt të De Bryjne. Por entuziazmi i ‘qytetarëve’ zgjati deri në minutën e 78-të, sepse më pas erdhi përmbysja e madhe e ‘Djajve të kuq’.
Bruno Fernandes barazoi shifrat dhe 4 minuta pas tij Markus Rashford shënoi edhe golin e fitores për Mançester Junajtid. Duhet theksuar se nga ana e stafit dhe lojtarëve të Sitit pati kontestime për golin e barazimit të Junajtid, pasi ishte pozicion jashtë loje i Rashford, që merr pjesë në aksion.
Skuadra e holandezit ten Hag vazhdon serinë e fitoreve dhe tashmë kërcënon Sitin për vendin e dytë. Për Guardiolën ishte humbja e dytë në pak ditë, pas asaj në Kupë me Southemptonin. Trajneri spanjoll vuajti në derbi mungesën e mbrojtësve Ruben Dias dhe Stons, por kjo nuk e justifikon dështimin.
Premier Ligën e kryeson Arsenali me 44 pikë dhe një ndeshje më pak se Siti dhe Junajtid, përkatësisht 39 dhe 38 pikë. Në ndeshjet e sotme bie në sy humbja e thellë e Liverpulit, 3-0 në fushën e Brajtonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




