Futboll

Milani eliminohet nga Kupa e Italisë, trajneri Pioli ndëshkon skuadrën

Gazeta Si – Milani duket se e ka humbur busullën. Pas barazimit me Romën në kampionat, ku udhëhiqte 2-0 deri pak minuta para fundit, skuadra kuqezi është eliminuar nga Torino në Kupën e Italisë. Një zhgënjim i madh, aq më tepër për mënyrën si u luajt ndeshja.

Koha e rregullt përfundoi 0-0 dhe në shtesë Milani u godit nga një gol i Torinos, që për 50 minuta luajti me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Xhixhit. Ishte një shans i humbur nga disa lojtarë të stolit, veçanërisht nga belgu De Ketelaere, i cili luajti sërish me ‘frena dore’.

De Ketelaere, zhgenjimi me i madh i Milanit. Gazeta Si, 12 janar 2023

Ndryshe nga ndeshja me Romën, ku Milani bëri 85 minuta të mira, ndaj Torinos nuk bëri asgjë dhe tashmë ka dështuar në një nga objektivat sezonalë. Një dështim në mënyrën më të keqe. Edhe pas futjes në fushë të titullarëve, si Teo Hernandez, Kalabria, Benaser, Leao dhe Zhiru, loja ishte e dobët.

Trajneri Stefano Pioli nuk e ka fshehur zhgënjimin pas humbjes. Pas ndeshjes ai udhëroi që skuadra të flejë në Milanelo. Një lloj ndëshkimi për atë paraqitje shumë të dobët. Sot stafi kuqezi do të bëjë analizën e ndeshjes dhe do të marrë masat për ndryshimin e menjëhershëm ndaj Leçes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë