Kosova

Osmani pas takimit me Cholletin: Angazhimi i shtuar i SHBA-së, vendimtar për dialogun me Serbinë

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, më 11 janar nisi vizitën në Kosovë, duke takuar krerët shtetërorë.

Fillimisht, ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, dhe më pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në takim, presidentja Osmani, sipas një njoftimi për media, tha se angazhimi i shtuar i SHBA-së në dialogun me Serbinë është “vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.

Ajo përsëriti qëndrimin se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

“Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-në, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Osmani.

Chollet dhe Osmani, sipas Presidencës kosovare, biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe botë dhe ajo tha se me mbështetjen e Rusisë, “Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon”.

Ndërkaq, detajet nga takimi Chollet-Kurti ende nuk janë bërë publike.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen në kohën e përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltari i DASH-it, në takimin me Osmanin dhe Kurtin, ishte i shoqëruar edhe nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Chollet më herët gjatë 11 janarit qëndroi edhe në Shkup, teksa pas Prishtinës do të niset drejt Beogradi./REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë