Gazeta Si – Vetëm për një javë u shkurtua diferenca me Napolin e vendit të parë. Situata kthehet si më parë, pasi Milani është ndalur në ‘San Siro’ nga Roma. Një barazim dramatik 2-2, me 2 gola të shënuar në fund nga skuadra mike.

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 17-të të Serisë A ka përfunduar në ‘paqe’. Djemtë e Stefano Piolit u ndëshkuan në fund nga dy goditje standarde, pasi deri në minutën e 87-të udhëhiqnin 2-0.
Ndeshja u zhbllokua pas gjysmë ore, kur Kalulu mposhti me kokë Rui Patricion në zhvillimet e një goditjeje këndi. Pjesa e parë ishte e dominuar nga Milani, me ndonjë sinjal sporadik të Romës. Pobega, i futur në fushë si zëvendësues, dyfishoi në minutën e 77-të me një kundërsulm të Leaos.
U duk se Milani mbylli llogaritë, por ndeshja u rihap papritur nga Ibanjez, pas një goditjeje këndi. Në minutën e 4-t shtesë, Abraham shtyu në rrjetë nga afër një top të grushtuar nga Tatarushanu. Milani tani ndan vendin e dytë me Juventusin, me pikë të barabarta, ndërsa Napoli ka shkuar në +7.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




