Futboll

Përleshje mes ultrasve të Napolit dhe Romës, një i plagosur dhe 13 km radhë në autostradë

Gazeta Si – ‘Autostrada del Sole’ në kaos mes Monte San Savino dhe Arecos, për shkak të përleshjeve të dhunshme mes tifozërive të Romës dhe Napolit. Ngjarja ka ndodhur në zonën e shërbimit në Pino, ku më 11 nëntor 2007 humbi jetën tifozi i Lacios, Gabriele Sandri.

Për disa orë është mbyllur korsia veriore e A1, duke shkaktuar pasoja të rënda në trafik. Ultrasit e Napolit po i drejtoheshin Xhenoas për sfidën ndaj Sampdorias, kurse tifozët e Romës po udhëtonin për në Milano.

Nga vendi ku u perplasen dy tifozerite. Gazeta Si, 8 janar 2023

Në vendngjarje mbërritën menjëherë parullat e policisë rugore. Nga përleshjet mbeti i plagosur nga një mjet prerës një tifoz romanist, që u mjekua në spitalin e Arecos.

Sipas Kuesturës së Arecos, sulmi nisi nga një grup ultrasish të Napolit ndaj atyre të Romës. Më pas filloi nga të dyja palët hedhja e gurëve dhe lëndëve plasëse. Policia, për të shmangur situata më të rrezikshme, bllokoi trafikun në autostradë, duke bërë që të krijohet një radhë prej 13 kilometrash. Rruga u lirua pas disa orësh.

“Këta nuk janë tifozë. Autostrada e mbyllur dhe udhëtarët të bllokuar? Të paguajnë dëmet nga xhepi i tyre dhe të mos lejohen më në stadium”. Ky ishte komenti i sekretarit të Ligës, Mateo Salvini, në lidhje me atë që ndodhi sot. Kryebashkiakët e Romës dhe Napolit kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë, duke theksuar se janë dy qytete mike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë