Nga Gazeta ‘SI’- Një autobus me shqiptarë të Kosovës, që po udhëtonte drejt Gjermanisë, është sulmuar me gurë në Serbi. Sipas mediave të Kosovës sulmi ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, para se autobusi të hynte në aksin Nish-Beograd.
Sulmi është konfirmuar nga vetë kompania që po kryente udhëtimin, “Fadili Tours” e cila ka thënë për ‘Nacionale’ se nuk ka asnjë person të lënduar.
“Sulmi ka ndodhur në Serbi. Rasti është i vërtetë dhe të gjithë udhëtarët janë mirë dhe nuk ka të lënduar, nuk e dimë saktë se në cilin vend janë sulmuar. Janë duke i përfunduar disa procedura ligjore, dhe udhëtimi do të vazhdojë”, ka qenë reagimi nga kompania.
Nga disa foto të publikuara nga mediat, shihet që autobusi është qëlluar me gurë, ku xhami i përparmë është dëmtuar. Ende nuk dihet motivi i këtij sulmi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




