Gazeta Si – Presidenti i Këshillit të Bajernit, Oliver Kahn, ka deklaruar se klubi gjerman po rinegocion kontratën publicitare me ‘Qatar Airways’, ndërsa bavarezët do t’i drejtohen Dohës për përgatitjet dimërore.
Bajerni është kritikuar ashpër në fakt për lidhjet komerciale me Katarin dhe kompaninë e tij ajrore kombëtare. Kritika që vijnë për shkak të akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut nga vendi që organizoi Kupën e Botës.
Në një intervistë për ‘Bild’, Kahn pohoi se marrëveshja me ‘Qatar Airways’, që skadon në fund të sezonit, do të rinovohet pas një rishikimi të aspekteve ‘sportive, financiare dhe sociale’.

“Tani do të fillojmë bisedimet, – ka theksuar ish-portieri i Bajernit. – Në një moment të parë do të diskutohet për vlerësimin e interesave të të dyja palëve. Sapo kemi nisur bisedimet, nuk do të japim informacione të përditshme’.
Asambleja e përgjithshme e Bajernit u ndërpre në 2021-shin nga protestat kundër lidhjeve të klubit me Katarin. Kombëtarja gjermane, e eliminuar në Botëror që në fazën e grupeve, hoqi dorë nga mbajtja e një shiriti në krah me shkrimin ‘One love’ në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe diversitetit vetëm për shkak të kërcënimeve për masa ndëshkuese nga FIFA.
‘Mannschaft’ gjithsesi e bëri të qartë disaprovimin dhe lojtarët mbuluan gojën me dorë gjatë fotos zyrtare para ndeshjes me Japoninë më 23 nëntor 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




