Futboll

De Biazi për aventurën kuqezi: Fantastike! Hakmarrja ime ndaj futbollit italian

Gazeta Si – Xhani De Biazi, ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, në një intervistë të gjatë për ‘Stadiosport’, ka folur sërish për aventurën e tij kuqezi. Ai e kujton atë me shumë nostalgji, fillimisht si një hakmarrje ndaj futbollit italian, që nuk i besoi.

‘Periudha te Shqipëria ishte një stimul i jashtëzakonshëm, ishte një shpirt hakmarrjeje ndaj futbollit italian, që më kishte shkarkuar pas më pak se 2 muajsh në Udine. Kisha një dëshirë të çmendur hakmarrjeje. Kam përjetuar kënaqësi të mëdha në ato 5 vite e gjysmë në Shqipëri.

De Biazi nderohet nga kryeministri Rama. Gazeta Si, 6 janar 2023

T’i çoja në Europian ishte diçka fantastike dhe e paimagjinueshme në fillim. Ne besuam dhe shkuam me meritë në Europian. Mundëm Portugalinë në transfertë 0-1. Vuajtëm shumë në atë ndeshje, por kishim aftësi për ta fituar, jo vetëm për t’u mbrojtur. Mposhtëm një kundërshtar që ishte superior ndaj nesh”, – ka thënë De Biazi.

Trajneri italian bën edhe pak humor me kolegun e tij Fernando Santos: ‘Pas fitores sonë Portugalia ndërroi trajnerin, duke nisur erën e Fernando Santos dhe arriti të fitonte Europianin. Kur ai erdhi vitin e kaluar në Baku me Portugalinë i thashë se nuk ma kishte sjellë akoma një shishe nga Porto… Ishte merita ime që ai drejtoi Portugalinë”.

Kualifikimin në Europian me kuqezinjtë De Biazi e konsideron mjaft të rëndësishëm edhe për gjithë lëvizjen futbollistike të Shqipërisë: ‘Nuk është rastësi që shumë lojtarë shqiptarë luajnë me sukses në Serinë A. Ishte pa dyshim një shtysë për gjithë futbollin shqiptar dhe kjo më jep një kënaqësi të madhe’.

De Biazi nderohet me ‘Honoris Causa’. Gazeta Si, 6 janar 2023

Në fund edhe një koment për vlerësimet që i janë bërë trajnerit në vendin tonë: ‘Kam marrë medaljen e Kalorësit të kryqit të Skënderbeut, që është nderimi më i madh që i bëhet dikujt nga Republika e Shqipërisë. Ishte vlerësimi më i madh që mund të merrja. ‘Honoris Causa’ ishte diçka shumë e bukur për mua, më mungonte diplomimi, por më erdhi në këtë mënyrë. Janë vlerësime që më kënaqin shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë