Futboll

Duka përshëndet nismën për stadiumet e reja: Vlerë e shtuar!

Gazeta Si – Me vonesë, por gjithsesi ka ardhur reagimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, në lidhje me stadiumet e reja të Durrësit, Vlorës dhe Korçës, si dhe ‘Selman Stërmasin’ në kryeqytet.

Të enjten kryeministri Edi Rama dha lajmin për rikonstruksionin e këtyre stadiumeve, një proces që pritet të fillojë në pranverë. Megjithëse ky lajm u dha që në mesditë, nuk pati asnjë reagim nga FSHF, që një ditë më e pas e përshëndeti nismën me anë të kreut të saj.

Armand Duka, president i FSHF-së. Gazeta Si, 6 janar 2023

“Lajm i mrekullueshëm për futbollin, që fillimin e vitit 2023 ta nisim me nismën për ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë e Korçë, qytete me traditë në futboll dhe me një popull futbolldashës në tribuna e shkallët e stadiumeve.

Këto tre stadiume do t’i shtohen kolanës së impianteve ekzistuese, duke rritur ndjeshëm investimet për lojën e bukur të futbollit. Këto investime, së bashku me projektin e “100 fushave” me bashkitë, janë një vlerë e shtuar për përmirësimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë”, – shkruan Duka në faqen e tij në Facebook.

Për momentin nuk është e qartë se kush do ta kryejë investimin për stadiumet e reja, vetëm qeveria, apo në bashkëpunim me FSHF-në. Me shumë mundësi, këtë herë do të investojë vetëm qeveria, sepse në të kundërt FSHF me siguri do reagonte më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë