Futboll

Durrësi, Vlora dhe Korça, së shpejti me stadiume të reja

Gazeta Si – Tre qytete të mëdha dhe me traditë në futboll, si Durrësi, Vlora dhe Korça, së shpejti do të kenë stadiume të reja. Lajmi është dhënë nga vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’.

Pas ‘Air Albanias’, ‘Loro Boriçit’ dhe ‘Kukës Arenës’, është radha e stadiumit ‘Niko Dovana’ të Durrësit të rikonstruktohet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me stadiumet ‘Flamurtari’ të Vlorës dhe ‘Skënderbeu’ të Korçës. Impiantet sportive të futbollit në këto tre qytete pritet të marrin një pamje krej tjetër.

Sipas njoftimit të kryeministrit Rama, brenda pranverës do të jenë bërë konkurset ndërkombëtare për këto tre stadiume dhe më pas do të nisin punimet. Përveç krijimit të kushteve moderne, me siguri do të shtohen edhe vendet ulëse në këto stadiume. Qëllimi kryesor vshtë shtimi i kapaciteteve të këtyre stadiumeve.

Po ashtu, rikonstruksionit do t’i nënshtrohet edhe stadiumi ‘Selman Stërmasi’, që administrohet nga klubi i Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë