Ka ndodhur

Vrau 31-vjeçarin nga Kukësi jashtë lokalit të tij se iku pa paguar, një muaj paraburgim për ‘Kobrën’

Gazeta Si - Gjykata e Prizrenit në Kosovë, ka lënë në burg me 30 ditë afat Dibran Hoxhën, i njohur ndryshe si “Kobra”, i akuzuar për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi Visart Cengu dhe plagosjen e një të riu tjetër, në një lokal nate.

Hoxha, është pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe shkak dyshohet se është bërë një faturë e papaguar prej 400 eurosh nga viktima dhe miqtë e tij.

Gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë, Hoxha ka kërkuar që vëllai i tij nga nëna të përjashtohet nga akuzat.

Ai tha se vëllai i tij Armallahu, kishte  ardhur pasi kishte marrë informacione të gabuara se viktimë kishte qenë vetë ai.

Në dosjen e  prokurorisë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Hoxha ka shtënë në drejtim të makinës së viktimës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City” pas sherrit brenda në lokal.

Përveç Dibran Hoxhës, në këtë rast dyshohet të jenë të përshirë edhe Kujtim Gashi, Jesmir Badali, Burim Mazreku, Enver Amrullahi, Arben Vezaj për vepra të tjera si rrahja, manipulimi me prova e armëmbajtje pa leje.

Sipas dosjes, Hoxha akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë si dhe mbajtje të pa-autorizuar të armës.

Në dosje thuhet se Dibran Hoxha dyshohet se në natën kur ndodhi ngjarja  kishte asgjësuar provat, duke fshehur pajisjen e ruajtjes së pamjeve nga lokali i tij, “Kobra City”.

Ngjarjes së rëndë dyshohet se i ka paraprirë një konflikt brenda lokalit për shkak të një fature e cila çoi në rrahjen në mes të dyja palëve. Konflikti dyshohet se nisi për shkak të një fature, e që më pas përfundoi në mënyrë tragjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë