Gazeta Si – Kristiano Ronaldo u prezantua sot si lojtar i Al Nasr në Arabinë Saudite. Portugezi mbërriti në stadiumin e mbushur plot pas orës 17:00. Ai u prit nga drejtuesit e klubit dhe të shtetit.
Në konferencën për shtyp, Ronaldo u shpreh: “Është një shans i madh, jo vetëm në futboll, për të ndryshuar mentalitetin e gjeneratave të reja. Shumë klube, nga Australia në SHBA, më kërkuan. Puna ime në Europë ka përfunduar dhe jam krenar për këtë sfidë të re.

Është një sfidë jo vetëm futbollistike. Është një vendim i imi dhe familja më mbështeti, mbi të gjitha fëmijët. Njerëzit në Arabinë Saudite më duan, pritja ishte spektakolare. Futbolli është ndryshe. Shumë njerëz flasin, por nuk dinë asgjë për futbollin. Dua të përcjell një vizion ndryshe të këtij vendi, ndaj e pranova sfidën.
Nuk më shqetëson ajo çfarë thonë njerëzit, futbolli ka evoluar. Nuk është fundi i karrierës sime. Kam thyer të gjitha rekordet në Europë, dua ta bëj ëdhe këtu, kam ardhur për të fituar. Dua të buzëqesh bashkë me Al Nasr. Mezi pres të luaj, edhe nesër, nëse trajneri më jep mundësinë”.
Ronaldo ka dalë pastaj përpara tifozëve në stadium, është përshëndetur me ta, ka bërë foto. Ai ka firmosur disa topa me autografë dhe i ka shkelmuar drejt tifozëve në shkallët e stadiumit. Portugezit i janë bashkuar në qendër të fushës edhe Xheorxhina dhe fëmijët.

Në kontratën e Ronaldos me Al Nasr ka edhe një klauzolë që do ta lejonte atë për një kalim të mundshëm te Njukasëlli në Angli, një klub që drejtohet nga arabët tashmë.
Sheikët e Al Nasr e kanë mbuluar me ar Kristiano Ronaldon, por jo vetëm. Agjenti i tij ka përfituar një komision rekord nga ky transferim prej 30 milionë eurosh. Një mal me euro, që nuk do të shkojnë në xhepat e prokuratorit historik të Ronaldos, Jorge Mendes, me të cilin marrëdhëniet duket se janë prishur. Sipas ‘A Bola’, është Rikardo Regufe ai që e përfiton shumën e përmendur më sipër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




