Futboll

Pelé përcillet në banesën e fundit, Infantino bëhet çështje për një selfie

Gazeta Si – Homazhet në nderim të Pelé përfunduan afër mëngjesit të sotëm. I gjithë Brazili pati mundësinë t’i jepte lamtumirën legjendës së futbollit botëror. Pastaj ishte radha e familjarëve për të qarë njeriun e tyre më të dashur.

Një ceremoni private familjare, me përjashtim të disa legjendave të futbollit brazilian, si Zhairzinjo, Rivelinjo dhe Gerson. Trupi i ‘O Rei’, i shoqëruar nga një turmë prej rreth 200 mijë personash, u largua nga stadium ‘Vila Belmiro’ për të kaluar në plazhin e Santosit dhe pastaj pranë shtëpisë së nënës Çeleste Arantes dhe në fund për t’iu drejtuar ‘Memorial Necropole Ecumenica’, ku Pelé është varrosur.

Turna qe shoqeronte trupin e Pele drejt varrezave. Gazeta Si, 3 janar 2023

Legjenda braziliane ndërroi jetë më 29 dhjetor, në moshën 82-vjeçare. Ai vetë kishte zgjedhur ‘Memorial Necropole Ecumenica’ si banesën e tij të fundit: “Më pëlqen struktura, si është organizuar dhe si pastrohet. Një vend që transmeton paqe dhe qetësi shpirtërore. Nuk duket fare si varrezë”, – kishte thënë Pelé, i cili gjithashtu donte që homazhet të bëheshin në ‘Vila Belmiro’.

Polemika të forta shpërthyen për sjelljen e Xhani Infantinos gjatë homazheve. Presidenti i FIFA-s është kritikuar shumë në rrjetet sociale për një selfie me persona të tjerë fare pranë arkivolit të ‘O Rei’. Një gjest i konsideruar i ulët dhe pa vend nga opinioni.

Vetë Infantino ka dashur të sqarojë gjithçka me një postim në profilin e tij në Instagram, duke shkruar: “Nuk do të bëja kurrë diçka që do te ishte mungesë respekti për Pelé. Ishte vetëm një sjellje kortezie pas një kërkese të disa ish-shokëve të tij të skuadrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë