Futboll

Falkao tregon kampionin e përulur: Kur Pelé më quajti Profesor!

Gazeta Si – Paulo Roberto Falkao kujton me krenari se ka qenë “trajneri i fundit i Pelé”. Trajner i Brazilit në 1990-ën dhe 1991-shin, ish-mesfushori i Romës ishte në stolin e Seleçaos gjatë një miqësoreje mes brazilianëve dhe pjesës tjetër të botës, që zhvillohej në ‘San Siro’.

Një event që organizohej nga ‘Gazzetta dello Sport’ si pjesë e festimeve për 50-vjetorin e lindjes së ‘O Rei’. Brazilianët fituan 2-1, me Pelé rregullisht në fushë.

Falkao kujton në një intervistë të dhënë menjëherë pas vdekjes së kampionit të madh se ai ishte një njeri modest dhe i përulur. “Profesor, nëse do të ketë ndonjë goditje dënimi, mund ta gjuaj?”, – e pyeti Pelé trajnerin. “Mund të bësh çfarë të duash”, – iu përgjigj ‘mbreti i 8-të i Romës’ në atë kohë.

“Ai më thirri profesor, – ka theksuar Falkao në intervistë, duke kujtuar mënyrën si futbollistët i thërrasin trajnerët e tyre në Brazil. – Pelé erdhi në grumbullim me ne, u stërvit me kombëtaren. U përpoq të udhëhiqte lojtarët”.

Dhe në një lloj qarku që është mbyllur tashmë, Paulo Roberto Falkao është drejtues dhe koordinator i Santosit, pikërisht skuadrës ku Pelé është rritur. Falkao ka luajtur për një periudhë të shkurtër në skuadër me ‘O Rei’. Kur mesfushori filloi të luante, Pelé ishte në fundin e karrierës te Santosi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë