Futboll

Trazirat në derbi/ Gjobë e kripur për Tiranën, Partizani paguan më pak

Gazeta Si – Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka dhënë sot vendimet në lidhje me trazirat që ndodhën gjatë derbit Tirana-Partizani, 0-1. Ndeshja u ndërpre dy herë për shkak të hedhjes së tymueseve në fushë nga tifozët e dy skuadrave.

Klubi i Tiranës ka marrë një gjobë të kripur këtë herë, 400 mijë lekë, për dëmet që tifozët bardheblu shkaktuan në stadiumin ‘Air Albania’. Një gjobë më të butë ka marrë Partizani, që duhet të paguajë 200 mijë lekë. Të dy klubet duhet t’i shlyejnë këto detyrime brenda 15 ditëve.

Nga derbi Tirana-Partizani, 0-1. Gazeta Si, 28 dhjetor 2022

Mes dënimeve tërheq vëmendjen edhe ai i Naim Halilit, një zyrtar i Kukësit që është pezulluar nga aktiviteti për 8 ndeshje për shkak të sjelljes josportive.

Vendimet kryesore të Disiplinës dhe Etikës
1.KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dëmtimin e mjediseve sportive dhe hedhjen e sendeve në terrenin sportiv duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 400.000 lekë. Urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

2.FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dëmtimin e mjediseve sportive dhe hedhjen e sendeve në terrenin sportiv duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë. Urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në “Air Albania” brenda 15 ditëve.

3.Zyrtari i FK Kukësi, Naim Halili, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë