Kosova

Arrestimi i tij shkaktoi ngritjen e barrikadave, ish-polici serb Pantiç lihet me arrest shtëpie

Avokati i Dejan Pantiçit, Nebojsha Vllaiç, ka konfirmuar se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Policia [e Kosovës] është e obliguar që të transferojë Pantiçin në adresën ku ai jeton”, tha ai.

Pantiç, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiçit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiç po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës. Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiçit.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.

Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Pantiçit trajtimin e duhur shëndetësor por ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar më 22 dhejtor se ai gëzon shëndet të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë