Gazeta Si – Mes atyre që folën në asamblenë e Juventusit, surprizë ishte deklarata e ish-drejtorit të përgjithshëm, Luçiano Moxhi, aktualisht aksioner.
“Shumë mund të pyesin pse desha të vij dhe të flas. E ndjeja se duhet të them disa gjëra dhe erdha për tre arsye. Nuk marr shumë parasysh çfarë lexoj në media. E di si ka punuar dhe jam këtu të falënderoj Anjelin, 9 tituj nuk fitohen lehtë.
Disa gjëra është vështirë të kuptohen, por kush është brenda e di sa e vështirë është, sidomos për një klub që nuk është mbrojtur kurrë. Ose nuk ka ditur të mbrohet dhe është shndërruar në lodër në duart e të tjerëve, veçanërisht të shtypit”, – ka theksuar Moxhi.

“Thuhet se Juventusi fiton, sepse vjedh, – vazhdon Moxhi, – por nuk është e vërtetë. Ka fituar në fushë, nuk i ka vjedhur askujt asgjë. Ndoshta na kanë vjedhur diçka në përmbytjen e Peruxhias dhe më pas, kur Roma fitonte titullin dhe presidenti ndryshoi rregullat me aktivizimin e Nakata në Torino.
Pasaportat? Këndohet ‘fratelli d’Italia’, pastaj menaxheri i skuadrës falsifikon pasaportën e Rekobës. Unë akoma luftoj për ‘Calciopoli’-in. U shpallëm fajtorë për gjëra që i kanë bërë të tjerët. I dashur president, po të jap një usb, ku do dëgjosh edhe presidentin federal Karraro, që thotë: ‘Fiorentina dhe Lacio nuk duhet të bien’. Dhe para ndeshjes së dhjetorit 2004 ndaj Milanit thotë: ‘Nuk duhet ndihmuar Juventusi'”.
Moxhi ka theksuar se ‘Calciopoli’ duhet rihapur: “Doja të thosha se, nëse vërtet rihapet çështja e plusvalencave, sespe mendojnë se kanë gjetur gjëra të reja nga përgjimet, atëherë duhet rihapur edhe ‘Calciopoli’. Është një plagë e hapur për ne dhe për Juventusin”.
Në fund edhe një mendim teknik: “Juventusi nuk ka mesfushë. Nuk duhen marrë sulmues, por mesfushorë të aftë që t’u japin topin sulmuesve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




