Gazeta Si – Ndoshta qëllimi i Salt Bae ishte pikërisht ky, që për të flitej sa më shumë. Një strategji që ai e përdor shpesh. Këtë herë ia doli, pasi prania e tij në fushën e ‘Lusail Stadium’ të Dohas, me Kupën e Botës në duar gjatë festës së Argjentinës, nuk ka kaluar pa u vënë re.
Polemikat në rrjetet sociale e kanë detyruar FIFA-n të hapë një hetim të brendshëm për të kuptuar se si kuzhinieri i famshëm turk u fut në fushë. Salt Bae në fakt nuk ka raporte komerciale me FIFA-n dhe me sa duket, nuk ka qenë i ftuar nga presidenti Infantino.

Sipas udhëzimeve të federatës ndërkombëtare “duke qenë një nga simbolet më të rëndësishme të sportit botëror dhe një ikonë pa kohë, trofeu origjinal ‘Fifa World Cup’ mund të mbahet në duar vetëm nga një grup i caktuar personash, kampionët e botës dhe drejtuesit e shteteve”.
Në profilin e tij në Instagram, Salt Bae ka postuar selfie dhe video me trofeun në duar, duke bezdisur lojtarë si Di Maria, Lisandro Martínez, Romero dhe mbi të gjithë Mesin. Tani FIFA kërkon të qartësojë se si Salt Bae ka mundur të bëhet pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




