Gazeta Si – I arrestuar pas trazirave të 17 nëntorit gjatë protestave për vdekjen e Mahsa Amini, 26-vjeçari është ende në pritje të procesit. Por pas ndërhyrjes së Fifpro dhe medias, çështja ka marrë përmasa ndërkombëtare.
Çështja ‘Amir’ fillon të marrë formë, falë faktit që futbolli është i dobishëm dhe mund të hedhë dritë për çfarë po ndodh në Iran. Amir Nasr Azadani është një futbollist, ose të paktën ka qenë për disa vite. Një mbrojtës që ka luajtur në vendin e tij. Në 2019-ën dëmtoi ligamentet e gjurit, ndërsa tani ka probleme më të mëdha se kërkimi i një skuadre për të luajtur.

Amir është arrestuar pas trazirave që shpërthyen në Iran më 17 nëntor, në Isfahan, qytetin ku ka lindur. Atë ditë protestohej kundër vdekjes së Mahsa Amini, vajza e re që u dhunua barbarisht nga policia më 16 shtator.
Gjatë trazirave në Isfahan, nga një motor u qëllua me pistoletë dhe u vranë tre pjesëtarë të trupës paraushtarake të themeluar në 1979 për rendin e ayatollah Khomeini, i njohur si ‘Basij’. Mes viktimave ishte një kolonel dhe represioni ishte menjëherë shumë i ashpër.
Gjatë hetimeve, sipas ‘Amnesty International’, janë arrestuar 26 të dyshuar dhe 11 prej tyre janë dënuar me vdekje me akuzat e ‘moharebeh’, urrejtje ndaj Zotit, ‘efsad-e fel arz’, korrupsionit në tokë dhe ‘baghi’, rebelim ndaj shtetit. Gjithmonë sipas ‘Amnesty International’, më 16 dhjetor të arrestuarit u gjykuan pa pasur mundësinë e ndihmës ligjore në mënyrë të pavarur dhe nga gjykata të improvizuara.
Mes 11 personave, emri më i njohur është ai i Saman Seydi, i njohur si Yasin, një reper kurd, kurse Amir Nasr Azadani është në listën e 15 të arrestuarve në pritje të procesit.

Prania e një futbollisti në listën e të dënuarve ka marrë vëmendjen e Fifpro, Sindikatës Ndërkombëtare të Futbollit, që ka denoncuar arrestimin e Amirit. Kjo ka bërë që çështja të marrë më shumë vëmendje ndërkombëtare. Për këta 26 persona nuk dihet asgjë, me zërat e dënimit të ekzekutuar dhe pastaj të përgënjeshtruar.
E përditshmja spanjolle ‘Marca’ i ka dedikuar faqen e parë Amirit, duke e shoqëruar foton e tij me fanellën e Teraktor Sazi, klubit ku ai ka luajtur kohë më parë, me një mesazh të rëndësishëm: “Amiri nuk është një terrorist, liroheni”.
Fjalët janë të Xhon Toshak. Lojtar dhe trajner uellsian me një të kaluar te Liverpuli dhe Real Madrid. Toshak e ka stërvitur Amirin te Teraktor, kur po rikuperohej nga dëmtimi. Me Toshak në staf ishte edhe një spanjoll, Alexis Plaza, që kishte miqësi me Amir: “Nuk mund të jetë e vërtetë, – ka thënë Plaza për ‘Marca’. – Kam bërë fazën e rikuperimit me Amirin, kam miqësi me të. Një tip i ndrojtur, i rezervuar, por i rëndësishëm në ekip.
Po çfarë terroristi? Nuk besoj se ka vrarë tre policë, është e pamundur. Kam folur me përkthyesin tonë dhe më tha se nuk di asgjë për të, sepse qeveria mban gjithçka të fshehtë. Nuk dua ta mendoj sa po vuan. Unë dhe Toshak përfunduam në komisariat, sepse dolëm në qytet me pantallona të shkurtra, diçka që në atë vend vlerësohet njësoj me homoseksualitetin”.

Faqja e parë e ‘Marca’ pati impakt. Nga Amerika e Jugut erdhi reagimi i qeverisë iraniane. Ambasadorët e Iranit në Kolumbi dhe Venezuelë sulmuan botën perëndimore se kanë instrumentalizuar situatën. “Nuk ka asnjë sentencë gjyqësore ndaj Amir Nasr Azadani – tha Hojat Soldani, ambasadori iranianin në Venezuelë. Si gjithmonë, mjetet e komunikimit në perëndim janë përpjekur të manipulojnë faktet për propagandë iranofobike”. Soldani ka thënë se Amir është ende gjallë.
Ambasada iraniane në Kolombi ka bërë këto postime: “Lajme false për sentencën ndaj një futbollisti iranian. Sipas akuzës, Azadani është i dyshuari i gradës së 5-të në një gjykatë penale. Akuzohet se bën pjesë në një grup të armatosur që ka vrarë tre agjentë policie.
Procesi nuk ka përfunduar dhe lajmi për dënim me vdekje të tij është një turp. Në manifestimet brutale vdiqën 50 policë dhe qindra mbetën të plagosur. Në këtë situatë Lufte Hibride vazhdon fushata e ‘Fake News”.
Në Tuiter ka reaguar edhe ambasada iraniane në Madrid: “Sipas gjykatës së Isfahan, Amir Nasr Azadani ka një akuzë të gradës së 5-të për rastin e agjentëve të vdekur dhe është mes 9 të akuzuarve në pritje të procesit. Nuk ka asnjë verdikt”.
Duket se rëndësia ndërkombëtare që i është dhënë rastit, ku përfshihet edhe një futbollist ka ndihmuar në hedhjen dritë në proces. Por e gjitha kjo nuk e fshin dënimin me vdekje të Amirit dhe 25 të ndaluarve të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




