Gazeta Si - Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre.
Tahiri i dërgoi 2 muaj më parë një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.
Këtë të enjte, seanca është shtyrë, pasi gjyqtari Elton Frashëri ka kërkuar kohë të njihet me dosjen, pasi u zëvendësua me Elis Dinen.
Seanca e radhës do të mbahet me 17 janar 2022. Tahiri i kërkon Gjykatës së Elbasanit njohjen e periudhës afro 3-vjeçare që thotë se është paraqitur në “shërbimin e provës” pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhënë në Shtator të 2019-ës.
Njohja e periudhës së shërbimit të provës do t’i ulte 1 vit e 6 muaj burg dënimin ish-ministrit, i cili që prej shkurtit të këtij viti po vuan një dënim të formës së prerë.
Më 4 shkurt të këtij viti, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dënoi Tahirin me 5 vite burg me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Pas transferimit nga institucioni i vuajtjes së dënimi në Rrogozhinë, Tahiri po vuan dënimin e formës së prerë në burgun e Kosovës në Lushnjë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.