Gazeta Si – Lionel Mesi do të qëndrojë te PSG deri në 2024-ën. Lajmi vjen nga Franca, ku sipas ‘Le Parisien’, kapiteni i Argjentinës kampione bote ka arritur një akord me klubin e Al-Khelaifit për zgjatjen edhe një vit të kontratës që i skadon në qershor.
Marrëveshja përfundimtare është arritur në fillim të dhjetorit, gjatë Botërorit. Tre muaj më parë kishte një akord në parim mes babait-agjent të lojtarit, Jorge Mesi, dhe drejtuesve të klubit parisien.

Firma pritet të hidhet pas pushimeve, kur Mesi të takohet me Al-Khelaifin dhe Luis Kamposin. Sipas ‘Le Parisien’ për të bindur Mesin nuk ishte e vështirë: familja e tij ndihet mirë në Paris dhe ai është i kënaqur që mund të vazhdojë me një klub të niveleve të larta.
Objektivi kryesor është ta çojë PSG-në në majën e Europës, të fitojë Ligën e Kampionëve. Një arritje që do ta ngrinte edhe më shumë argjentinasin në Olimpin e futbollit, pas fitimit të Kupës së Botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




