Në ngjashmëri me tremujorin e dytë, ritmi i rritjes ekonomike ka shfaqur shenja ngadalësimi, si pasojë e pasigurive për të ardhmen, e rritjes së kostove të prodhimit dhe e reduktimit të kërkesës së huaj.
Kështu tha në një konferencë për mediat, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili shtoi se këto pasoja janë shfaqur në formën e shtrenjtimit të faturës së importeve, si dhe të një ecurie më të ngadaltë të investimeve private e publike.
“Përkundrejt tyre, tregu i punës në tremujorin e tretë shfaqi një ecuri mjaft pozitive. Punësimi në ekonomi u rrit me 4.2% në terma vjetorë, norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6%, ndërkohë që paga mesatare në sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 12.4%.
Kjo ecuri dëshmon se kërkesa agregate në vend mbetet solide, e mjaftueshme për të gjeneruar rritje punësimi dhe pagash. Ajo ilustron, po ashtu, faktin se bazat e rritjes ekonomike të vendit janë relativisht të shëndetshme”, tha Sejko ndërsa theksoi se inflacioni pritet të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e dytë të vitit 2024.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor. Normat respektive të inflacionit në këto dy muaj ishin 8.3% dhe 7.9%.
Në këndvështrimin e shportës së konsumit, ecuria e inflacionit në këto dy muaj u përcaktua nga rënia e çmimit të naftës dhe të kostove të transportit, si dhe nga luhatje në kahe të kundërta të çmimeve të artikujve ushqimorë. Inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqi luhatje më të pakta. Gjithsesi, me përjashtim të çmimit të energjisë elektrike, norma e inflacionit të thuajse të gjithë artikujve të shportës mbetet në nivele të larta historike dhe shfaq shenja të qarta ndikimi nga goditja e huaj.
Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit u përcaktua nga reduktimi i efektit direkt të inflacionit të importuar”, shtoi ai.
Mandej Sejko theksoi se tregjet financiare vazhdojnë të jenë të qeta.
“Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur tendenca forcimi, ndërsa transmetimi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, si në vend ashtu edhe në Eurozonë, po shfaqet gjithnjë e më i plotë. Megjithatë, edhe pse normat e interesit të produkteve kryesore financiare, – depozitave, kredive dhe letrave me vlerë të qeverisë – kanë ardhur në rritje, ato vijojnë të mbeten akomoduese për rritjen. Në përgjigje të tyre, kredia vjetore vijon të shfaqë flukse mujore pozitive, ndonëse ritmi i rritjes ishte në ngadalësim gjatë muajit tetor. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë është e kënaqshme dhe shfaq tendenca përmirësimi”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



