Ekspozite

Ekspozita e veçantë e Roland Tashos dhe profecia e Dritëro Agollit për karrigen ku firmosën 43 shkrimtarë

Nga Gazeta Si – Në vitin 1998, pas kthimit nga Parisi, fotografi Roland Tasho filloi të realizonte një projekt për të fotografuar shkrimtarët shqiptarë, personalitete të letërsisë ndër vite. Pas fotografimit, ata do të linin gjurmën e tyre duke firmosur në një karrige prej druri, ngjashëm me firmosjen e një libri të tyre.

Janë 43 firma shkrimtarësh mbi këtë karrige prej druri që u ekspozua për herë të parë këtë fillim jave në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Karrigia me firma që në vitet 1998-2000 mund të dukej si e çuditshme, por sot duket se mbart edhe vlera muzeale shoqërohet edhe me imazhet e 46 portreteve në bardhë e zi të personaliteteve të letërsisë.

“Ideja e fotografimit të portreteve të shkrimtarëve tanë ka lindur që në vitin 1998. E poqa idenë me shkrimtaren Mira Meksi, e cila kishte një fondacion të letërsisë dhe në fillim u fotografua dhe firmosi karrigen Ismail Kadare, më pas Helena dhe Mira Meksi. Pra mbasi i fotografoja portretet e tyre, ata firmosnin karrigen”, shprehet fotografi Roland Tasho për Gazetën “Si”.

Duke e cilësuar karrigen prej druri si një gjetje fotografike, Tasho thotë se ndonëse shkrimtarët ishin mësuar të firmosnin librat e tyre, firma që hidhnin në karrige ju dukej interesante dhe e pazakontë.

“Kështu filluan të fotografoheshin me radhë dhe për 2 vjet u fotografuan 46 shkrimtarë dhe përkthyes”, vijon më tej Tasho.

Ai nuk ka pasur vështirësi me realizimin e këtij projekti, pasi sipas Tashos, të gjithë shkrimtarët që mori do ta pëlqenin idenë.

Madje shkrimtari dhe poeti Dritëro Agolli do t’ia krahasonte këtë karrige me verën.

“Kur marr karrigen dhe fotografoj Dritëro Agollin në shtëpinë e tij, ai më thotë: ‘kjo karrige është si puna e verës, sa më e vjetër më vlerë do të ketë’”, kujton ndër të tjera Tasho.

Shumë prej këtyre figurave të letrave shqipe sot mungojnë fizikisht dhe flasin vetëm përmes krijimeve të tyre.

Objektivi i fotografit të njohur do t’i fiksonte portretet e shkrimtarëve, sikur ta dinte se fotot e shkrepura prej tij do t’i rezistonin kohës, plakjes dhe vdekjes.

Ndërsa shkrimtarët e tjerë në këtë ritakim me veten përmes imazheve të Tashos, rikthehen pas në kohë.

Cikli me fotografi do të mbyllej në fillim vitet 2000. Ekspozita e hapur më 19 dhjetor do të qëndrojë e hapur deri në fund të dhjetorit.

“Kjo ekspozitë është kartolina më e bukur këtë fundviti”, shkruhet në një postim në rrjetet sociale të QKLL.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë