Futboll

Derbi i fundvitit, Tirana dhe Partizani luajnë sot kreun në ‘Air Albania’

Gazeta Si – Një derbi që përcakton ekipin që do ta mbyllë si kryesues vitin 2022. Tirana dhe Partizani përplasen sot në stadiumin ‘Air Albania’ për herë të fundit për këtë vit, në javën e 15-të të Superiores.

Tirana vjen në këtë sfidë pas humbjes me Teutën, që i kushtoi edhe humbjen e vendit të parë. Skuadra e trajnerit Orges Shehi ka dominuar derbit e fundit ndaj të kuqve dhe beson se edhe sot në mbrëmje do të ruajë traditën. Nuk do të jetë e lehtë, sepse bardhebluve u duhet patjetër fitorja për të marrë kreun.

Nga nje derbi i ketij sezoni mes Tiranes dhe Partizanit. Gazeta Si, 21 dhjetor 2022

Partizani vjen me avantazhin që vendin e parë mund ta ruajë edhe me një barazim (26 pikë ndaj 25). Trajneri italian, Xhovani Kolela, ka theksuar në konferencë shtypi se kërkon vetëm fitoren nga të tijtë. Kush fiton derbin sot, merr edhe një bonus moral për vazhdimin e kampionatit.

Derbi pritet të jetë një sfidë mes dy sulmuesve kryesorë të dy skuadrave, Redon Xhixha i Tiranës dhe Xhuljano Skuka i Partizanit. Do të jenë këta dy lojtarë që me shumë gjasa do të vendosin ndeshjen.

Për javën e 15-të luhet sot edhe ndeshja Kukësi-Laçi, në orën 13:00. Kuksianët kërkojnë me çdo kusht të marrin pikë mbijetese në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë