Politike

Shembja e pallatit, Rama: Ngrehinë e rrezikshme, familjeve iu jepet bonus qiraje

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar një ngrehinë të rrezikshme pallatin në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, i cili është shembur këtë të hënë për shkak të dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kjo i parapriu edhe vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e PD-së, duke i dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës për prishjen e pallatit, banorët e të cilit e kundërshtojnë.

Mes të tjerash, Rama tha se pallati përbënte rrezik dhe se personave që jetojnë aty do u jepet bonusi i qirasë.

“Ai pallat bën mu që është një ngrehinë e rrezikshme. Që me një goditje të matrapikut binte dy kate përnjëherë, ndërkohë që të gjithëve atyre u jepet bonusi i qirasë dhe u thuhet bujrum, kur të ndërtohen apartamentet e reja, do merrni një apartament, – u shpreh Rama. – Tani çfarë duhet të bëjë bashkia apo qeveria? Se kush i del për zot njerëzve në këtë vend, ne e kemi treguar me prova. Ashtu siç kemi dhënë provat në këtë proces rindërtimi se tek shqiptarët në hall nuk shohim majtas apo djathtas, por shohim drejt e në sy secilin që gjithkush të marrë atë që i takon”, tha ai.

Kryeministri i bëri këto deklarata gjatë një takimi në Baldushk, ku u dorëzoi çelësat e shtëpive 28 familjeve në kuadër të procesit të Rindërtimit pas tërmetit të 3 viteve më parë.

Rama u shpreh se këto banesa janë më të forta, më të bukura e të mëdha se ato që u dëmtoi tërmeti dhe ata që i marrin në pronësi nuk i detyrohen asnjë qindarkë shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë