Nga Gazeta ‘SI’ – Shtesat në buxhetin e vitit 2022 kanë përplasur ministren e Financave, Delina Ibrahimaj dhe deputetët në Komsionin e Ekonomisë, që kanë ngritur pikëpyetje për menaxhimin e buxhetit dhe shpenzimet kapitale.
Ministrja tregoi ndryshimet që do të bëhen në buxhet që përfshin rritje fondesh për disa institucione dhe rialokim fondesh në disa të tjera.
“Projektet që nuk kanë arritur objektivat, rialokojnë fondet tek projekte më primare. 12.4 mld lekë shtohen për fondin e rindërtimit. 5 mld lekë për transportin rrugor, përfshirë tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Tiranës. 2 mld lekë për ujësjellësin. 1.2 mld lekë për Albgaz dhe 2 mld për Aviacionin Civil. Po ashtu do të ketë 500 mln lekë për Komitetin Olimpik Shqiptar dhe 70 mln për FSHF-në. 200 mln për fermerët”, -tregoi ministrja Ibrahimaj në Komision duke shtuar dhe se janë 25 mld lekë shkurtime shpenzimesh që do të rialokohen, pasi nuk janë realizuar shpronësimet, kompensim i pronarëve, nuk ëshyë shpenzuar e gjithë skema e ndihmës sociale dhe se ka pasur probleme në prokurime.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi i nervozuar për ndarjen e fondeve për Komitetin Olimpik dhe Federatën e Futbollit, duke thënë se ato janë OJF dhe statusi ia ndalon të marrin para nga shteti.
“Nuk mund të shkojnë paratë atje ku janë paratë. Nuk shkon kështu. FSHF-ja bërtet se qeveria po e cënon dhe prap pranon para nga shteti. Për çfarë i duhen? Nuk kanë lekë ata? Po për KOKSH? Vjet pati 500 mln lekë fonde të dhëna, çfarë do bëjë deri më 31 dhjetor me 250 mijë?”, -tha Braçe.
Ai po ashtu përmendi dhe paratë shtesë për Korporatën e Investimeve, Albgaz dhe Aviacionin Civil, se çfarë mund të bëjnë ato me 15 ditë të mbetura deri në fund të vitit dhe për nivelin e shpenzimeve kapitale.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se këto institucione nuk janë buxhetore dhe e marrin fondin dhe e përdorin sipas vendimeve.
“Albgaz do të bëjë gazifikimin, i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të gazit. Ka disa nisma, por duhen fondet njëherë. KOKSH vjet ka ngritur ekipe sportive nëpër shkolla dhe mund t’ju tregojmë si janë përdorur fonde. Në FSHF fondet do të shkojnë për mbështetje të ekipit kombëtar. Shpenzimet kapitale, uroj të zbatohen deri në fund të vitit, por nuk i kemi ne në dorë”, -u shpreh Ibrahimaj.
Pyetjes së drejtuar nga deputetja Jorida Tabaku për faturën e fondit të rindërtimit, ministrja tha se deri tani janë dhënë 76.6 mld lekë për rindërtimin. Por ajo shtoi se ka fatura që nuk janë dërgaur ende në MFE, por i ka kaluar Këshilli i Ministrave dhe parashikohet deri në 117 mld lekë.
Ibrahimaj shtoi se jo vetëm çmimet kanë ndikuar në të ardhura. “Është rritur TVSH, 32 mld lekë më shumë se vjet. 13 mld nga rritja e çmimeve, 7 mld lekë më pak rimbursime TVSH që nuk janë dhënë. Janë rritur kontributet dhe sigurimet. Paketat sociale nuk janë konsumuar sepse shpenzimet i kemi marrë nga institucionet jo nga fondi për paketën. U rialokuan për paga të punonjësve. Detyrimet e prapambetura syjojmë t’i zbresim nga 17 mld në 9 mld.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



