Ekonomi

Banka Europiane zgjat me 1 vit marrëveshjen me BSH. Hua deri në 400 mln euro për likuiditet

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Qendrore Europiane ka zgjatur deri në vitin 2024 marrëveshjen e likuiditetit më Bankën e Shqipërisë, në kufirin e vlerës 400 mln euro.

Marrëveshja që njihet si linja “REPO” i lejon një banke jashtë zonës së euros të marrë hua në BQE deri në vlerën e përcaktuar.

Linjat e likuiditetit në euro adreson nevojat e mundshme për likuiditet në funksion të situatës ekonomike dhe gjeopolitike dhe implikimeve për tregjet financiare pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

BQE thekson se e mori këtë vendim për të parandaluar efektet e tregjeve dhe ekonomive të eurozonës edhe në vendet jashtë saj. Marrëveshja vlen edhe për Andorën, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë dhe San Marinon.

Banka e Shqipërisë thekson se pavarësisht se deri tani, REPO e miratuar në 2020-n, kur Covid-19 kërcënonte ekonominë, nuk ka qenë e nevojshme të përdoret, ky instrument rezervë mbetet i dobishëm në kuadër të pasigurive të shtuara,  që vijnë nga vazhdimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, në ekonominë globale dhe tregjet financiare.

Sipas marrëveshjes, në raste nevoje, tërheqjet e huasë maturohen çdo tre muaj, deri sa të arrijnë limitin e vendosur. REPO është gjithmonë me mundësi shtyrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë