Nga Gazeta 'SI' - Në muajin nëntor 2022, buxheti i shtetit ka arkëtuar 47 mld lekë nga të ardhurat nga taksat, 2 mld lekë më pak se muaji tetor. Për të gjithë 11 mujorin, u mblodhën 522 mld lekë, duke kaluar planin me 1% dhe duke u rritur me 14%, ose 64 mld lekë nga 11 mujori i 2021-shit.
Për të njëjtën periudhë, buxheti ka rezultuar përsëri me suficit, 9.5 mld lekë nga 66.95 miliardë lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 33 miliardë lekë, për periudhën 11 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.
Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 465.1 miliardë lekë, 64.8 miliardë lekë më shumë, krahasuar me vitin 2021.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 201.1 miliardë lekë, 28.8 miliardë lekë më shumë se 11 mujori 2021.
Të ardhurat nga TVSH në import për 11 mujorin rezultojnë 140.9 miliardë lekë, 24.1 miliardë lekë më shumë se një vit më parë
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 48.7 miliardë lekë, 2.1 miliardë lekë më shumë se viti 2021.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 3.9 miliardë lekë, 1.7 miliardë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 7.6 miliardë lekë, 946 milionë lekë ose 14.1% më shumë se 11 mujori 2021, si dhe realizim në masën 99.6 % kundrejt planit.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 11 mujorin 2022 u realizuan në masën 264 miliardë lekë, 36 miliardë më shumë se 11 mujori i vitit të kaluar.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 35.9 miliardë lekë, 8.4 miliardë lekë ose 30.7% më shumë se 11 mujori 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 40.9 miliardë lekë 10.2 miliardë lekë, ose 33.4% më shumë se 11 mujori 2021.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 41.1 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë më shumë se 11 mujori 2021.
Taksat nacionale, për periudhën 11 mujore 2022 u realizuan në masën 37.7 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë më shumë se 11 mujori 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 108.3 miliardë lekë, 10.8 miliardë lekë më shumë se 11 mujori 2021.
Shpenzimet rriten me 4.4%
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 11 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 512.9 miliardë lekë, të realizuara në masën 87.4%. ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 4.4 përqind më i lartë ose rreth 21.5 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 11 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 80.4% të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 77.6% të planit vjetor sipas ndryshimeve në muajin korrik.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 11 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 94.3% dhe 65.3% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 84.1% dhe 52.1%vtë planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 84.5% dhe 55.4% të planit vjetor sipas AN nr.12.
Shpenzimet korente për periudhën 11 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 426.8 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 5.5% më i lartë ose rreth 22.3 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet kapitale për periudhën 11 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën 62.2 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 27.8% më i ulët ose rreth 24 miliardë lekë më pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.