Kosova

Të shtëna me armë dhe shpërthime në disa zona në veri të Kosovës. Policia mbyll pikat e kalimit kufitar në Jarinjë dhe Bërnjak

Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Policia e ka konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë, pasi serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas informacioneve nga tereni, rruga në Rudarë të Zveçanit – komunë e banuar më shumicë serbe – vazhdon të jetë e bllokuar, ndonëse ka më pak njerëz se disa orë më parë.

Në hapësirën ajrore të saj është parë duke fluturuar helikopteri i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Po ashtu policia e Kosovës ka thënë se “grupet kriminale” që kanë bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri kundër njësiteve policore në rrugën që të çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se zyrtarët policorë u janë përgjigjur këtyre sulmeve, po ashtu, me armë zjarri dhe sulmuesit më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia ka thënë se për të shtëna me armë zjarri është dëgjuar në disa pjesë të veriut, por nuk ka informacione për të plagosur.

Ekipet e Radios Evropa e Lirë në Rudarë kanë raportuar se kanë dëgjuar disa shpërthime në këtë zonë në veri të Kosovës

Sveçla: Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ka ndaluar të shtunën ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq në pikën kufitare në Jarinjë.

“I ndaluari, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”, shkroi ai në Facebook.

Sveçla tha se Pantiq akuzohet për “kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”.

Ai tha se grupe ekstremiste, që kanë për qëllim parandalimin e vendosjes së drejtësisë, janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

QUINT mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën për shtyrje të zgjedhjeve – që ishin planifikuar për 18 dhjetor – për në prill në vitit të ardhshëm.

“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e QUINT-it.

Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë