Ekonomi

FMN: Ekonomia e Shqipërisë rrezikohet nga inflacioni, PPP-të dhe risqet fiskale. Jo dalje me Eurobond në 2023-shin

Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Nderkombetar në raportin e sapopublikuar, thekson se ekonomia e  Shqipërisë rrezikohet në nivele të larta nga rritja e mëtejshme e çmimeve të mallrave, nga një recesion i mundshëm i ndikuar nga mjedisi i jashtëm ekonomik, nga një rritje e mëtejshme e borxhit publik dhe nga PPP-të e keqmenaxhuara që mund të luhasin sistemin fiskal apo edhe borxhin e vendit. Për këtë arsye FMN, riforcon rekomandimin e saj se Ministria e Financave në Shqipëri duhet të ketë rol më të madh në fushën e PPP-ve dhe investimeve të tilla, pasi ato nuk maten dhe nuk monitorohen.

FMN këshillon qeverinë të mos dalë në tregjet ndërkombëtare në vitin 2023 me Eurobond, pasi yield-et janë të larta dhe tregjet globale kanë shtrënguar kushtet e tyre, në një kohe pasigurie.

Në raport thuhet se rritja më e ngadaltë ekonomike dhe një inflacion ende i lartë do të godiste sistemin fiskal në Shqipëri dhe të ardhurat nga ai. Në një situatë të tillë Eurobondi nuk emetohet deri në vitin 2024 dhe vendi mund të ketë mungesë financimi edhe nga aktorë të jashtëm. Shqipëria mund të përballet me një hendek financimi fiskal për 2023-2024 . Rritje të ulët, deficite të larta dhe nënçmim më i madh i kursit të këmbimit do të rriste borxhin publiku në 80% të PBB-së në 2024-n.

FMN tregon dhe se thatësirat e kriza energjetike në Europë tregoi se Shqipëria ka një ekonomi tërësisht të varur nga kushtet klimatike. Ajo sugjeroi Bankën e Shqipërisë të vazhdojë me shtrëngimin e politikës monetare dhe qeverinë që të implementojë sa më shpejt strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, të avancojnë në reformën strukturore si derë për të hyrë në BE dhe të forcojnë përkushtimin ndaj parandalimit të pastrimit të parave.

“Borxhi i qeverisë së përgjithshme pritet të bjerë më tej në nën 70 për qind të PBB-së në fund të vitit 2022, i ndihmuar nga rritja e vazhdueshme ekonomike dhe një deficit i pritshëm më i vogël në krahasim me vitin e kaluar. Në mungesë të goditjeve të reja, borxhi pritet të vijojë reduktimin, duke arritur në rreth 64 për qind të PBB-së në vitin 2027, por nevojat për financim bruto do të mbeten të konsiderueshme. Sistemi financiar i ka përballuar relativisht mirë goditjet e njëpasnjëshme dhe kreditimi për ekonominë ka vazhduar”, – thuhet në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë