Kosova

Tensione në veri të Kosovës, sulmohet policia dhe një ekip gazetarësh

Gazeta Si – Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës.

Në një njoftim të policisë thuhet se sulmi ka ndodhur reth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Sipas policisë, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2013. Ai tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Më vonë, dy gazetarë kosovarë janë sulmuar po në Veri, nga persona të maskuar.

Sipas raportimit medias kosovare Kallxo, dy gazetarë të këtij mediumi janë sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollë teknike në Mitrovicën e Veriut.

Makina me të cilën po udhëtonin, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj janë sulmuar nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut. Në raportim thuhet se vetura e këtij mediumi ku ishin brenda dy gazetarët, është sulmuar nga grupi i personave të maskuar.

Gjithashtu në drejtim të makinës janë hedhur mjete të forta dhe është goditur nga këta persona. Megjithatë gazetarët kanë arritur që të shpëtojnë pa lëndime fizike nga ky sulm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë