Nga Gazeta Si - Lart, në Alpet shqiptare, në Rugovë të Kosovës apo Mal të Zi ku kishte shqiptarë vajzat malësore e vishnin të parën xhubletë që në moshën e pjekurisë dhe e mbanin deri në ditën e dasmës. Ditën që vajza bëhej nuse xhubletës i shtoheshin edhe disa stolisje që përdoreshin vetëm për atë ditë. Një grua malësore nuk mund të kuptohej veçse e veshur me xhubletë...
Tashmë, xhubleta shqiptare, e lashtë mbi 4 mijë vjet është marrë nën mbrojtjen e UNESCO-s, duke u bërë pasuri e gjithë njerëzimit.
LEXO EDHE:
E lashtë mbi 4 mijë vjet / Xhubleta shqiptare në UNESCO
Etnografët dhe studiuesit pohojnë njëzëri se anëtarësimi i xhubletës në UNESCO është një lajm i jashtëzakonshëm, por e vë shtetin shqiptar edhe përballë detyrimeve për vazhdimësinë e dijebërjes së saj.
Studiuesi Jaho Brahaj thotë se lajmi që xhubleta u pranua si pasuri e njerëzimit na bën krenarë për vlerësimin që i bëjnë organizatat botërore trashëgimisë tonë, por ngre pyetje se ‘sa do të mund ta ruajmë ne atë?’
“Neve me këtë rast si komb përfitojmë sepse UNESCO e popullarizon dhe kombi ynë zë një vend të nderuar në rreshtin e veprave dhe pasurive trashëgimi kulturore të popujve”, thotë Brahaj për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ky lajm i gëzueshëm na vë ne shqiptarëve edhe para detyrimit që xhubletën ta ruajmë, ta popullarizojmë dhe ta bëjmë të njohur, qoftë te ne shqiptarët, qoftë edhe në botën e jashtme”.
Për etnografen Afërdita Onuzi, përfitimet nga përfshirja në pasurinë botërore e xhubletës janë projektet dhe financimet për vazhdimësinë e dijebërjes, por problem për të mbetet prodhimi i xhubletës tradicionale, prodhim i cili ka ndalur që në vitet ’50 apo ’60.
“Pas pranimit në UNESCO, linja e përgjithshme synon në ruajtjen e dijebërjes, mirëpo ka një problem shumë delikat lidhur me dijebërjen. Pothuajse nuk ekzistojnë më ato gra që e prodhonin, mund të jenë shumë pak ato që dinë të bëjnë proceset e ndryshme që kërkon xhubleta. Së pari duhet të zgjidhet leshi i duhur, tjerrja e fijeve, bërja e pëlhurës së leshtë, përgatitja e shajakut. Një tjetër drejtim është edhe përgatitja e gajtanëve, me të cilët realizohet bashkimi i formave të shajakut, për t’i dhënë formën e saj”, shprehet etnografja Onuzi për Gazetën “Si”.
Duke qenë se ka disa dekada që xhubleta me material autentik nga mjeshtre e me mjete tradicionale nuk punohet, studiuesi Jaho Brahaj thotë se disa mjete e vegla pune, që shërbejnë për punimin e xhubletës kanë dalë nga përdorimi dhe duhet t’i rindërtojmë, e me ato të pakta gra të moshuara ta kalojmë mjeshtërinë e dijenitë tek brezat.
“Problem kryesor është se ka 60-70 vjet që xhubletat për arsye sociale, shoqërore edhe ekonomike nuk punohen më sipas mënyrës tradicionale që i kanë pas punuar gjyshet tona dhe stërgjyshet tona. Kanë mbetur shumë pak nga ato zonja të cilat i kanë të rrënjosura dhe në praktikën e tyre nga fëmijëria që kanë prodhuar xhubletën në mënyrë tradicionale. Probleme të rëndësishme dalin para institucioneve shtetërore, qoftë qendrore që është Ministria e Kulturës, qoftë edhe atyre lokale, që janë bashkitë që të fillojë në mënyrë të studiuar dhe të organizuar punimi i xhubletave në mënyrë tradicionale, kjo për të na shërbyer neve shqiptarëve qoftë për ceremoni të ndryshme të trashëgimisë kulturore, qoftë edhe për t’u ruajtur dhe për t’ua lënë trashëgim edhe brezave të ardhshëm”, shpjegon më tej studiuesi për Gazetën “Si”.
Edhe etnografja Onuzi thotë se ruajtja e dijebërjes është shumë e rëndësishme, pasi vetëm në këtë mënyrë mund ta ruajmë xhubletën si pasuri botërore. Ndaj sipas saj është detyrë e institucioneve përgjegjëse që ajo të mos zhduket.
“Ministria e Kulturës ka për detyrë të evidentojë sa më shpejt të jetë e mundur qoftë edhe këto kokrra grash që kanë mbetur, pastaj i duhet të trajnojë njerëz që të mos tjetërsojnë motivet, pasi xhubleta ka simbolikën e vet. Ka ca tentativa për ta riprodhuar xhubletën, por nuk është tradicionalja, në popull kam dëgjuar të thonë që xhubleta duhet të peshojë 14-15 kg. Është tepër e ngutshme që të gjenden këto gra, të regjistrohen dijet e tyre dhe të fillojë riprodhimi i xhubletës”, vijon Onuzi, ndërsa shton se “edhe bageta franceze u fut në UNESCO, por ajo vazhdon të prodhohet”.
Për studiuesin Brahaj, nëse institucionet nuk ndërmarrin hapa tani për riprodhimin e xhubletës, më vonë nuk do të jenë mundësitë “sepse është pothuaj hallka e fundit që na lidh neve me brezin që i ka këto dijeni”.
Problem tjetër që duhet të na shqetësojë sipas studiuesit është deformimi i xhubletës, ndaj sipas tij duhen gjetur mënyra për ta frenuar deformimin në mënyrë të përçudnuar të xhubletës.
“Asaj i bëhen plotësime pa kritere, duke u plotësuar me materiale që nuk janë të prodhuara tradicionalisht, duke ju vendosur ngjyra dhe ornamente që nuk kanë asnjë lidhje me veshjen tradicionale të xhubletës. Xhubletës në vend që t’i vëmë vetullat, jemi në një periudhë që po i nxjerrim sytë”.
Në të kaluarën xhubleta, përpos estetikës që përcillte, me anë të ornamenteve të saj përçonte edhe domethënie të ndryshme.
“Xhubleta ka në ornamentet zbukuruese kode të cilat shprehin kulte, mitologji, besime popullore të ndryshme p.sh kundër syrit të keq, kultit të pjellorisë etj, të cilat duhet t’i njohim dhe të dimë se si t’i riprodhojmë”, vijon më tej studiuesi Brahaj.
Sipas etnografes Onuzi, xhubleta është e çdokohshme, ajo kurrë nuk e humb hijeshinë dhe bukurinë e saj, ndaj duhet të mblidhet çdo grimcë dijeje për ta riprodhuar dhe ekspozuar atë.
“Ajo vishet edhe sot në dasma, pavarësisht se janë shtuar edhe pjesë të tjera në xhubletë. Më ka rastis të shoh gra me xhubletë në Kishën e Zojës së Mirë në Manhatan, në dy dasma në pjesën e Malit të Zi, sepse xhubleta shtrihet edhe në pjesën shqiptare të Malit të Zi. Ajo vijon të përdoret në Logun e Bjeshkëve, po ashtu në një festival në Tuz vishen xhubleta”, përfundon etnografja.
Ekzemplarë të xhubletave origjinale vijojnë të ruhen në Institutin e Antropologjisë, në Muzeun Kombëtar, në Muzeun e qytetit të Shkodrës dhe të Lezhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.