Gazeta Si – Një 42-vjeçar shqiptar u ekzekutua në rrethana ende të paqarta mbrëmjen e së hënës në qytetin Krefeld të Gjermanisë. Sipas mediave lokale, ngjarja ndodhi pak para orës 20:00 në një nga rrugicat e qytetit.
Viktima, emri i të cilit nuk bëhet i ditur po udhëtonte me biçikletë. Autori i ka dalë nga pas dhe e ka qëlluar të paktën 3 herë në pjesën e kokës, duke u larguar menjëherë.
Dëshmitarët në vendin e ngjarjes panë 2 persona që u larguan në errësirë. Njëri prej tyre mbante një xhaketë të zezë, pantallona të çelëta dhe një kapele. Tjetri po ashtu mbante një xhaketë të zezë me një logo në shpinë, pantallona të errëta dhe një kapele.
Dyshimet janë që atentatorët e zunë në pritë 42-vjeçarin shqiptar. Një zëdhënës i policisë tha se viktima kishte precedentë penalë për drogë dhe krime ndaj pronës. “Mendojmë se nuk është një viktimë e zakonshme”, tha ai.
Një zëdhënës i policisë gjermane, tha se bëhej fjalë për një ekzekutim mafioz, pasi autorët kanë lënë pak gjurmë në vendin e ngjarjes.
Mediat gjermane raportojnë se viktima ishte një person me precedentë penalë në të shkuarën dhe po hetojnë krimin në disa pista.
Në fokus janë konfliktet që viktima ka pasur në të shkuarën apo edhe përfshirja e tij në aktivitete të paligjshme.
Në një kuti postare u gjetën vrimat e plumbave. Rreth 30 oficerë policie shkuan këtë të martë në vendin e ngjarjes për të kërkuar armën e krimit. Ndërkohë policia ka marrë në pyetje banorët e zonës, por po ashtu kërkon që kushdo që ka informacion t’i njoftojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.