Gazeta Si - Pas rrëshqitjes së dheut në ishullin italian Ischia, deri më tani janë gjetur tetë trupa mes tyre një i porsalindur vetëm 22 ditësh, ndërsa vazhdojnë kërkimet për 5 personat e tjerë që rezultojnë të zhdukur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë identifikuar dhe nxjerrë viktimën e tetë të përmbytjes. Bëhet fjalë për një burrë, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.
Numri i të evokuarve ka shkuar në 230 njerëz, të cilët janë akomoduar në hotele ose me miqtë dhe të afërmit e tyre.
Qeveria italiane mori masa duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një vit dhe duke ndarë dy milionë euro ndihmë.
Gjithashtu, në dekretin e lëshuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, parashikohet një pezullim i pagesave të taksave për banorët deri në fund të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare, në ishull ka një numër të madh shtëpish që janë ndërtuar ilegalisht, duke bërë që banorët të jenë më të rrezikuar nga përmbytjet dhe tërmetet, të cilat shpesh kanë goditur gjatë viteve të fundit.
Tragjedia në ishull ka rindezur polemika lidhur me dhënien e lejeve për ndërtesat e paligjshme në dekadat e fundit dhe hezitimin e disa politikanëve për të trajtuar këtë çështje.
Përmbytjet dhe rrëhqitjet e dheut, kanë lënë pas ndërtesa të shkatërruara dhe dëme të pallogaritshme.
Përroi i baltës shkatërroi shtëpitë dhe tërhoqi makinat në det, duke lënë pas një panoramë katastrofe.
Më shumë se 100 zjarrfikës, dhe njësi të tjera shërbimi, janë vendosur në Ischia në përpjekje për të pastruar rrugët e bllokuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.