Sociale

Pasojat e përmbytjeve/ Nis tërheqja e ujit në Shkodër-Lezhë, 7 familje të evakuuara

Gazeta Si - Pas reshjeve intensive të ditëve të fundit, uji ka filluar tërheqjen nga zonat e përmbytura në Qarkun Shkodër dhe Lezhë.

Bashkia Shkodër ka publikuar të dhënat e fundit nga situata e përmbytjeve në këtë bashki dhe fshatrat përreth, ku 1130 Ha tokë rezulton ende nën ujë.

Gjithashtu edhe këtë të enjte vazhdon të ketë gërryerje të tokës pranë lumit Drin, në zonën e  quajtur mali i Vukatanit.

Rruga e Obotit kalohet vetëm me mjetet e ushtrisë. Aktualisht janë 7 familje të evakuuara, gjithsej 24 persona që akomodohen në konvikte.

Në njësinë Administrative Ana e Malit, Dajç, Velipojë, Guri i Zi dhe Bërdicë, sipërfaqet e tokave të përmbytura janë disa dhjetëra hektarë.

Edhe në Qarkun e Lezhës reshjet e shiut janë ndëprerë dhe uji ka filluar të tërhiqet duke çuar drejt normalizimit të situatës.

Ura që lidh fshatin Gjadër me Zojs-Gramsh është e kalueshme dhe për mjetet e vogla. Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) ka rënie të nivelit të ujit por vazhdon të jetë e pakalueshme si rezultat i prezencës së ujit në trupin e rrugës.

Rruga që lidh fshatin Blinisht-Baqel është e kalueshme plotësisht. Ka prezencë të nivelit në trupin e rrugës në fshatin Piraj, e cila është bërë e pakalueshme dhe nga mjetet e vogla.

Në fshatin Kakarriq vazhdon të ketë prezencë uji në 4 banesa, edhe pse niveli po vazhdon të ulet.

Në zonën e Zadrimës ka 250 hektarë tokë bujqësore të përmbytura kurse hidrovori Balldre në kuotën

-0.8 metra nga 1.5 metra kuota kritike, ka rreth 800 hektarë tokë bujqësore të përmbytura.

Në fshatin Torovicë janë 500 hektarë sipërfaqe toke të përmbytura. Edhe në njësitë administrative Dajç dhe Blinisht janë 800 hektarë tokë të përmbytura.

Rruga që lidh fshatin Torovicë me fshatin Malecaj është e pakalueshme për mjetet e vogla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë