Nga Gazeta ‘SI’- Projekti i ri i portit të Durrësit ka krijuar përsëri debat në komisioneet parlamentare, këtë herë për mungesën e transparencës nga qeveria dhe kompanive të përshira në të.
Deputetët e opozitës, Xhelal Mziu dhe Lefter Gështenja, ngritën pyetjet për paqartësitë në procedurat, koston e zhvendosjes së porteve dhe kur do të nisë shteti shqiptar të përfitojë nga dividenti në këtë investim, si aksioner në 33% të portit.
“Ajo që ne kemi rezerva, është mënyra si procedon kjo mazhorancë në investime kaq madhore. Nëse 2.1 mld ëshë vlera më e madhe e investuar në këto 30 vjet në Shqipëri duke qenë hera e parë do thosha që ky projektligj s’ka asnjë arsye të bëhet me procedurë të përshpejtuar, shqiptarët s’kanë prona për të humbur ndaj duhet ta marrim pak më shtruar. ’Ekspertë të qeverisë’, flitet me superlativa, kush nga këta ekspertë ka pasur mundësi të negociojë kontrata të tilla më parë në CV-në e tij? Mënyra si është proceduar lë shije të keqe, e thënë ndryshe kësaj pune i vjen era se ka nisur me zoti Muhamed e po përfundon me zotin Ramazan”, -tha në komisionin e Tregtisë, deputeti Gështenja.
Zv.ministri i Financave, Besart Kadia shpjegoi se zhvendosja e portit të Durrësit nuk lidhet me këtë projekt dhe se dividenti do të shpërndahet kur të ketë aktivitet ekonomik, pra pas 7 vitesh.
Ai sqaroi se target për tregtimin e pronave janë të huajt e pasur dhe jo shqiptarët.
Drejtuesi i këtij komisioni, Arben Pëllumbi tha se Alabbar, themeluesi i Emaar mund ta zgjedhë vetë kompaninë me të cilën e zhvillon projektin.
“Një njeri që arrin të sigurojë 2 miliardë të ardhura në vit personale, i lind nevoja të formojë një grup kompanish. Emaar është në bursë. Fakti me cilën kompani vjen të financojë një projekt në Shqipëri është e drejta e tij. Alabbar është një nga figurat më të rëndësishme të tregut të real estate në botë”, tha Pëllumbi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



