Presidenti Aleksander Vuçiç ka pranuar që të takohet në Bruksel me kryeministrin Albin Kurti. Lajmi bëhet e ditur nga media serbe “Novosti”, e cila shkruan se takimi do të organizohet të dielën në mbrëmje ose të hënën në mëngjes, dhe temë do të jenë tensionet e fundit në Kosovë të shkaktuara pas vendimit të qeverisë Kurti për targat.
Parashikohet të diskutohet lidhur me gjetjen e një zgjidhje europiane për të dalë nga situata, kur tensionet në veri të Kosovës janë në pikën më të nxehtë që prej vitit 2013.
Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës që zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stani nuk tha se kur mund të ndodhë takimi por shfaqi shpresën se ai duhet të ndodhë “shumë, shumë shpejt” dhe se synimi i tij është “gjetja e një zgjidhjeje evropiane”.
BE-ja nga ana e saj e ka cilësuar situatën si më të rëndën në këto 10 vite dhe kërkoi një zgjidhje të menjëhershme për shtensionimin e situatës. Mbetet për t’u parë nëse do të bisedohet mbi planin franko-gjerman, apo në tryezën e bisedimeve do të ketë një propozim të ri nga ana e Brukselit.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një takimi në Estoni ka deklaruar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave. Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja. Më 21 nëntor hyn në fuqi vendimi për vendosjen e gjobave ndaj serbëve nëse nuk pranojnë konvertimin e targave. Mos tërheqja e Kurtit, pavarësisht këshillësh që ndërkombëtarëve për ta shtyrë vendimin me 10 muaj, shkaktoi me reagimin e serbëve, të cilët bojktouan institucionet e Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




