Futboll

Ronaldo: Nëse shënoj gol vendimtar në finalen e Botërorit, e lë futbollin direkt!

Gazeta Si – Intervista e Kristiano Ronaldos për Pirs Morgan vazhdon të diskutohet ende për shkak të kritikave të ashpra të portugezit ndaj trajnerit Ten Hag.

“Trajneri më tha të pres shansin tim. E kuptoj, por nuk mund të më trajtojë si të tjerët, – ka thënë CR7. – Nëse më fut vetëm 3 minuta në fund, është tallje për mua. Nuk e fsheh se raporti me trajnerin nuk është i mirë. Nuk më respekton”.

Ronaldo dhe trajneri i Portugalisë, Santos. Gazeta Si, 18 nëntor 2022

Në janar ndarja me Mançester Junajtid është e paevitueshme dhe në lidhje me merkaton, Ronaldo duket se i ka shkelur syrin Arsenalit: “Nëse Mançesteri nuk e fiton titullin, do doja ta fitonte Arsenali. Ka një skuadër të mirë, më pëlqen si luan, më pëlqejnë lojtarët dhe trajneri. Kanë një grup të mirë”.

Në intervistën e gjatë portugezi ka lënë të hapur mundësinë për të luajtur bashkë me Mesin: “Unë dhe Leo bashkë? Gjithçka është e mundur, me siguri do të shesim shumë fanella. Nuk kemi darkuar kurrë bashkë, por do të më pëlqente. Është një futbollist i pabesueshëm, magjik”.

Dhe pastaj një batutë për Botërorin e Katarit: “Nëse Portugalia fiton Botërorin, nuk ka rëndësi kush shënon në finale. Nëse mundim Argjentinën në finale 3-2 dhe unë shënoj golin vendimtar, e lë futbollin që në atë moment”, – ka thënë Ronaldo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë