Kosova

Kurti: Dialogu Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë më transparent

Kryeministri Albin Kurti vlerëson se procesi i dialogut Kosovë-Serbi asnjëherë nuk ka qenë më transparent, sa i përket institucioneve kosovare.

Gjatë seancës së Kuvendit ai tha se përveç transparencës, Qeveria ka treguar edhe kujdes e maturi për të mos e dëmtuar procesin.

“Jemi treguar transparentë ndaj qytetarëve dhe publikut. Kemi treguar gatishmëri ndaj partive opozitare dhe kemi treguar kujdes që të mos dëmtohet procesi dhe as interesat tona. Pas çdo takimi publiku është njoftuar për qëndrimet dhe propozimet tona.

Nuk mendoj se është e drejtë që transparenca është zero, ju pyesni unë përgjigjem. Gjithashtu në komisionin parlamentar vjen zëvendëskryeministri për raportim dhe sa herë keni thirrur seancë të jashtëzakonshme ose debat parlamentar, unë kam ardhur dhe kam marrë pjesë në diskutim.

Në njërën anë, i përmbahem transparencës së procesit, por në anën tjetër edhe konfidencialitetit të bisedimeve”, tha Kurti.

Ndërsa pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, për Asociacionin e Komunave Serbe, kreu i ekzekutivit iu përgjigj ashtu sic është shprehur ditë më parë:

“S’kam qëndrim të ri. Jemi përgjigjur disa herë. Nuk kam përgjigje të re. Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, është shpallur antikushtetues”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë