Kosova

Betohen 10 deputetët e rinj serbë në Kuvendin e Kosovës

Nuk ka zgjatur shumë boshllëku i krijuar nga Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës, pas tërheqjes së tyre nga institucionet më 5 nëntor për shkak të çështjes së targave.

Dhjetë deputetë nga Lista Serbe, kanë dhënë betimin sot duke zëvendësuar mandatet e dhjetë deputetëve paraprakë që dhanë dorëheqjen.

Dorëheqjet e tyre si dhe shumë zyrtarëve tjerë serbë në institucionet e Kosovëskanë nisur në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Ende nuk është e qartë nëse deputetët e rinj të Listës Serbe do të mbajnë mandatet pas betimit apo do të dorëhiqen si kolegët e tyre paraprakisht.

Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiç, Zoran Maksimoviç, Svetislav Gjokiç, Ksenija Bozhoviç, Radosh Mihajloviç, Bilana Makshiç, Milan Joksimoviç, Nenad Radenkoviç, Olivera Zdravkoviç dhe Cvetko Velkoviç nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Ndërkohë, dy subjektet politike nga radhët e komunitetit serb, Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Lidhja Demokratike Serbe (SDS), të cilat kanë garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, kanë thënë se parimisht janë të gatshme të zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe.

Aktualisht, qeveria e Kosovës është duke zbatuar planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Nga 21 nëntori pritet të shqiptohen gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Beogradi zyrtar insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare deri më tani ka insistuar se nuk heq dorë nga vendimi i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë