Gazeta Si – Topi, me të cilin Diego Armando Maradona realizoi golin e famshëm të njohur si “Dora e Zotit” në Botërorin e 1986-ës, është shitur në ankand. Vlera? Gati 2.4 milionë euro.
Arbitri i ndeshjes çerekfinale mes Argjentinës dhe Anglisë, Ali Bin Naser, e ruante këtë top prej 36 vitesh. Topi Adidas është shitur sot në ankandin Graham Budd në Londër për 2 milionë stërlina (2.37 milionë dollarë).
Bin Naser ka thënë para ankandit se kishte ardhur momenti i duhur për ta ndarë me botën objektin e çmuar, ndaj dhe shprehu dëshirën që blerësi t’ia tregojë edhe publikut topin. Goli që shënoi Maradona i dha avantazhin Argjentinës, por duhej anuluar, sepse u shënua më dorë. Më pas ai u bë pjesë e legjendës së futbollit.
Maradona kërceu në ajër për të goditur me kokë, por e kaloi portierin Peter Shilton me një devijim me dorë. Pas ndeshjes argjentinasi tha me humor se goli u shënua “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”.
Para ankandit, arbitri Bin Naser u shpreh: “Nuk arrita ta shihja qartë episodin. Shiltonin dhe Maradonën i kisha përballë, por me shpinë. Pashë anësorin për një konfirmim dhe ai shkoi në linjën e mesit të fushës, duke e gjykuar të rregullt golin.
Pas ndeshjes, trajneri Bobi Robson më tha: ‘Bëre një punë të mirë, por anësori ishte i papërgjegjshëm’. Maradona 4 minuta më pas shënoi golin e dytë me të njëjtin top, atë që konsiderohet unanimisht goli më i bukur i historisë së futbollit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




