Futboll

Kueiroz dhe Irani, Loris dhe shiriti-ylber: polemika politike para Botërorit

Gazeta Si – Pak ditë nga ceremonia e nisjes së Botërorit në Katar, polemikat vazhdojnë, sepse ka gjithmonë një ‘të ftuar’ jo gjithmonë të mirëpritur sa i takon eventit në fjalë: politika. Jo vetëm ajo që lidhet ngushtë me vendin organizator për atë që ka ndodhur për ndërtimin e stadiumeve, por edhe me argumente të kombëtareve të tjera që kanë shkuar aty.

Janë argumente aktuale dhe të nxehta, që njerëzit e futbollit mundohen t’i shmangin sa më shumë. Të hënën Anglia ndeshet me Iranin e Karlos Kueiroz. Trajneri portugez për të disatën herë është pyetur për fakte jashtë futbollit, saktësisht për të drejtat e grave në Iran.

Karlos Kueiroz. Gazeta Si, 16 nentor 2022

“Sa më paguan që t’i përgjigjem pyetjes tënde?” – iu përgjigj Kueiroz gazetarit të ‘Telegraph’, që e ngacmoi për këtë argument. Më pas trajneri vazhdoi: “Mendo për atë që ka ndodhur në vendin tënd me emigracionin”.

Qëllimi i Kueiroz ishte për ta lënë futbollin jashtë diskutimeve të tjera më serioze. Ditët e fundit ai ka grumbulluar edhe sulmuesin Azmoun, një nga më kritikët ndaj regjimit në Iran. Një pozicion i qartë:

“Irani ndjek shpirtin e lojës dhe ligjet e FIFA-s. Secili ka të drejtën të shprehet apo të gjunjëzohet në ndeshje, por disa janë dakord e disa jo. Në Iran është e njëjta gjë, lojtarët ëndërrojnë të kalojnë grupin”, – tha Kueiroz.

Një tjetër çështje, gjithmonë në lidhje me Katarin, është ajo e homoseksualitetit, që vendi organizator i Kupës së Botës nuk e pranon. Në mbështetje të komunitetit LGTQIA+, një pjesë e mirë e kapitenëve të skuadrave do të mbajnë një shirit-ylber.

Hugo Loris, kapiteni i Frances. Gazeta Si, 16 nentor 2022

Këtë gjë nuk do ta bëjë kapiteni i Francës, Hugo Loris, i cili vendimin e tij e ka shpjeguar kështu: “Kur presim të huaj në vendin tonë, duam që ata të respektojnë rregullat tona dhe kulturën. Unë do të bëj të njëjtën gjë në Katar”.

Një pozicion tjetër ka mbajtur kombëtarja amerikane, që ka ngjyrosur logot e saj në qendrën sportive, ku ajo do të qëndrojë në Katar gjatë Botërorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë