Gazeta Si – Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka bërë një apel për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, të paktën për një muaj, aq sa zgjat Botërori i Katarit.
“Apeli im për të gjithë ju është që të ndaloni luftën për një muaj, për kohëzgjatjen e Kupës së Botës. Ose të paktën të bahet i mundur krijimi i disa korridoreve humanitare, apo çdo gjë tjetër që mund të çojë te dialogu si hap i parë drejt paqes”, – ka thënë Infantino në komunikimin që pati me G20-ën.

“Nuk jemi kaq naivë sa të besojmë se futbolli mund të zgjidhë problemet e botës, – shton presidenti i FIFA-s. – E dimë që objektivi ynë kryesor si organizatë sportive është dhe duhet të jetë vetëm sporti. Por, fakti që futbolli bashkon botën, mund të jetë një shkas i një gjesti pozitiv.”
Më pas Infantino ka theksuar: “Kupa e Botës u takon edhe vlerave dhe kauzave që shkojnë përtej fushës së gjelbër. Jemi krenarë që yjet e futbollit të së kaluarës dhe të së tashmes janë bashkuar me ne për promovimin dhe evidentimin e këtyre temave që shoqërojnë gjithë botën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




