Ekonomi

Raporti i KE: Rritja ekonomike e Shqipërisë do të ulet në 2.6% vitin që vjen, 2024 vit pozitiv

Inflacioni pritet të ulet në 4.1% vitin e ardhshëm përpara se t’i afrohet objektivit në vitin 2024, sipas raportit të Komisionit Europian.

Ai thekson se rritja ekonomike do të zbresë në 2.6% vitin që vjen përballë pasigurisë nga rritja e çmimeve ndërsa ekonomia do të rrimarrë veten në vitin 2024 ku rritja do të jetë 3.4%.

“Ekonomia shqiptare ka qenë elastike gjatë gjysmës së parë të vitit 2022 dhe rritja i atribohet kryesisht kërkesës së brendshme dhe turizmit në rritje.

Ajo u rrit me 8.5% vitin e kaluar dhe vazhdoi zgjerimin me 4.4% gjatë gjysmës së parë të 2022-it, e nxitur nga rritja e konsumit dhe e eksporteve”, shkruhet në raportin që trajton situatën ekonomike aktuale dhe parashikimet për të ardhmen për vendet anëtare dhe atyre që pretendojnë të marrin statusin e vendit anëtar në Bashkimin Europian.

Ai rendit si faktor kyç sezonin e mbarë turistik që tejkaloi pritjshmëritë, shtimin e eksporteve të mallrave, materialeve të ndërtimit dhe tekstileve, të cilët përfituan nga avantazhet e çmimeve dhe zinxhirët e ngushtë të furnizimit.

Megjithatë konsumi pritet të dobësohet në gjysmën e dytë të vitit, parashikon raporti.
Shkak kryesor për këtë të fundit është rritja e pasigurisë së çmimeve, çka pritet të ngadalësojnë zgjerimin e investimeve private.

Përveç kësaj, konsumi familjar në vitin 2023 pritet të ndikohet nga efektet negative të çmimeve të larta të ushqimeve dhe transportit të cilët zënë rreth gjysmën e buxheteve familjare.

Nga krahu tjetër, shtrëngimi i kushteve të financimit të jashtëm dhe nevoja për rritje të subvencioneve dhe mbështetjes sociale, pritet të kufizojë mundësitë për stimuj fiskalë.

Raporti vijon me ngadalësimin e brendshëm të kërkesës, e cila parashikohet të ulë importet, duke rezultuar në eksportet neto më pak pozitive. Megjithatë, të ndihmuar nga rritja e moderuar e eksportit të shërbimeve dhe turizmit Shqipëria duket se do të mbetet relativisht e lirë dhe tërheqëse.

“Sa i përket tregut të punës, përgjatë vitit 2023 dhe 2024 shkalla e papunësisë pritet të ulet gradualisht në rreth 10.5%.

Rritja e eksporteve të shërbimeve dhe remitancat parashikohet të ndihmojnë në uljen graduale të deficitit të llogarisë korente në 7.4% në vitin 2024.

Përfundimisht, bilanci për 2024 parashikohet të jetë më pozitiv se 2023 pasi financat publike do të përfitojnë të ardhura më të larta si rezultat i masave tatimore dhe rregullimeve të reja fiskale, do të reduktojë borxhin publik në 66.4% të PBB-së në 2024”, thuhet më tej në raport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë