Futboll

Ronaldo del hapur: Mançester Junajtid më tradhtoi, u bëra si delja e zezë

Gazeta Si – Kristiano Ronaldo ka dhënë një intervistë ekskluzive për tabloidin britanik “Sun”, ku përdor fjalë të ashpra ndaj klubit të tij dhe trajnerit ten Hag.

Në prag të Botërorit, portugezi ka komentuar hapur situatën që po kalon te Mançester Junajtid. Këtë herë nuk ka vend për diplomaci: “Mançester Junajtid më ka tradhtuar. Ten Hag nuk e respektoj, sepse ai nuk ka treguar asnjë lloj respekti ndaj meje.

Faqja e pare e ‘Sun’. Gazeta Si, 14 nentor 2022

Klubi provoi të më detyronte të largohesha, jo vetëm trajneri, por të gjithë ata që janë rreth klubit, ndaj dhe ndihem i tradhtuar. Unë e ndjej që disa persona nuk më duan më te Junajtid. Jo vetëm këtë vit, kështu ishte edhe sezonin e kaluar.

U bëra si delja e zezë. Nuk kanë pasur asnjë lloj empatie ndaj meje, as kur vajza ime ishte e sëmurë”, – ka thënë mes të tjerash portugezi për “Sun”.

Ai komentoi edhe zgjedhjen e tij për t’u kthyer te Mançesteri: “Nuk kanë evoluar pas ikjes së Fergusonit. Kur vendosa të kthehesha, dëgjova zemrën. Sër Aleks më tha se ishte e papranueshme të shkoja te Siti dhe unë i thashë: ‘ok bos’.

Rangnik? Nëse nuk je një trajner, si mund të bëhesh menaxheri i Mançester Junajtid? Unë nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë emrin e tij”. Ronaldo ka zgjedhur kështu mënyrën për të mbyllur përfundimisht raportin me ‘Djajtë e kuq’. Tani pritet reagimi i klubit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë