Futboll

Uruguai emocionon me listën e Botërorit, video e prezantimit është spektakolare

Gazeta Si – Uruguai ka zgjedhur një mënyrë origjinale spektakolare për të njoftuar emrat e lojtarëve të grumbulluar për Botërorin e Katarit. Një video e publikuar në Tuiter nga federata amerikanojugore tregon trajnerin Diego Alonso me një hartë përpara, duke evidentuar qytetet nga vijnë lojtarët.

Imazhet pastaj spostohen te njerëz të zakonshëm të këtij vendi, si fëmijë, punëtorë të ndryshëm dhe gra që ndejnë rrobat, të cilët tregojnë fanellat e lojtarëve të ndryshëm.

Uruguai bën pjesë në Grupin H të Katar 2022. Mes 26 lojtarëve në listë janë personazhe që kanë bërë historinë e vendit të vogël amerikanojugor, si Muslera, Gimenez, Godin, Kaseres, Luis Suarez dhe Kavani.

Bëjnë pjesë gjithashtu në listë lojtarë nga Seria A, si Vinja i Romës, Olivera i Napolit dhe Vesino i Lacios. Të pranishëm janë edhe lojtarë që bëjnë pjesë në klubet e ajkës europiane të futbollit, si Valverde, titullar me Real Madrid, dhe Darvin Nunez, sulmuesi i Liverpulit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë