Politike

Plagosja e Kokoneshit, Braçe akuzon: Sulm i pastër kriminal. PD: ‘Gjyq’ mes socialistësh

Gazeta Si – Në një kohë që policia dhe prokuroria nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar, Erion Braçe thotë se plagosja ndaj kryebashkiakut të Divjakës Fredi Kokoneshi është një sulm kriminal.

Deputeti i zonës së Divjakës, ku ndodhi dhe ngjarja, hedh akuza se mes Kokoneshit dhe autorit të dyshuar, nuk ka pasur asnjë debat apo konflikt. Sipas tij, ngjarja është shumë më e rëndë se kaq.

“Ngjarja në Divjakë është një sulm i pastër kriminal! Shumë, shumë i rëndë! E gjithë vëmendja prej minutës së parë është tek shëndeti i kryetarit të bashkisë Fredi Kokoneshi dhe i punonjësit të bashkisë Gazmir Bullari!”, – shkruan Braçe në Fb.

Deputeti socialist më tej ka dhe një lutje për median: “Mos gënjeni! Nuk ka pasur asnjë debat, asnjë konflikt, asnjë sherr ne poliklinikën e Divjakës! Zero! Ka ndodhur nje sulm kriminal që nuk justifikohet me asgjë, zero!

Fredi Kokoneshi ka qenë në punë, është një sulm i pastër kriminal kundrejt një zyrtari në detyrë”.

Në Spitalin e Lushnjës kanë mbërritur këtë të premte edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, kryetarja e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa dhe kreu i Bashkisë Fier Armando Subashi.

Pas vizitës në spital, Balla ka thënë se kjo ngjarje është shumë e rëndë dhe shpreson që Kokoneshi dhe shoferi i tij të kalojnë me sukses këtë gjendje të vështirë.

Balla ka deklaruar se nuk i di arsyet që kanë çuar në plagosjen e tij, teksa ka shtuar se kjo ngjarje, sipas tij është produkt i ndasisë dhe përçarjes politike.

Në fund të fjalës së tij, Balla ka dhënë mesazhin se kjo urrejtje duhet të ndalet dhe i ka thënë “mjaft më vrasjes së njëri-tjetrit”.

Për ngjarjen ka reaguar edhe deputeti i PD për qarkun e Fierit, Luan Baçi, i cili e konsideron plagosjen e kryebashkiakut socialist të Divjakës si një “gjyq që socialistët po i bëjnë njëri-tjetrit”.

Në një reagim në Facebook, Baçi teksa i uron shërim të shpejtë thotë se vjedhjet, padrejtësitë, abuzimet dhe arroganca kanë bërë që situata të dalë jashtë kontrollit.

Baçi thekson se Kokoneshi është një kryebashkiak i kontestuar nga qytetarët, ndaj i fton të gjithë të dalin nesër në protestë.

“Ne 12 Nëntor, nesër në orën 16.00.  Te gjithë në shesh, për t’i shporrur njëherë e mirë dhe t’i shpëtojmë të mos vrasin njëri-tjetrin!”

Kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi dhe shoferi i tij Gazmir Bullari po i nënshtrohen një ndërhyrjeje kirurgjikale pas sulmit me thikë që u shënua paraditen e kësaj të premteje afër Bashkisë së Divjakës.

Policia ka arrestuar Orges Xhelilin, ish-punonjës i bashkisë si autor të këtij sulmi, ndërsa burimet bëjnë me dije se shkak ka qenë një debat mes punonjësit dhe kryebashkiakut për largimin nga puna të bashkëshortes së tij infermiere.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë