Futboll

Dhuna e tifozëve në Shkup, reagon Shkëndija: Stop urrejtjes e fanatizmit të skajshëm!

Gazeta Si – Klubi i Shkëndijës ka reaguar me një komunikatë zyrtare pas dhunës së paprecedentë të një dite më parë në ndeshjen me Shkupin. Kjo ndeshje u ndërpre pas 10 minutash, pasi tifozët e Shkupit pushtuan fushën dhe tentuan të godisnin lojtarët e ekipit tetovar.

“Futbolli në fakt është garë, por brenda punës për arritje të objektivave, si qëllim ka afrimin e njerëzve, argëtimin, kënaqësinë dhe relaksin e publikut që i ndjek ata që e bëjnë garën! Futbolli bashkon popuj të ndryshëm, e jo të kundërtën!’ – shkruhet në filli të deklaratës së Shkëndijës.

Momente nga dhuna ne stadiumin e Shkupit, ne ndeshjen mes ekipit vendes dhe Shkendijes. Gazeta Si, 10 nentor 2022

Mes të tjerash në këtë deklaratë theksohet se i duhet dhënë fund përgjithmonë urrejtjes mes dy tifozërive: “Shkëndija si klub bën thirrje për të ndalur urgjentisht këtë urrejtje e fanatizëm të skajshëm ndërmjet dy tifozerive, që tashmë nuk dëmtojnë vetëm klubet tona, por edhe qytetarë të pafajshëm që mbase edhe nuk kanë asnjë lidhje me futbollin.

Shkëndija thotë shkurt dhe qartë: STOP URREJTJES DHE SKENAVE TË PAHIJSHME në ndeshjet tona! Nuk pretendojmë bashkimin e dy tifozerive, apo eliminimin e rivalitetit e garës sportive në terren. Përkundrazi, vlerësojmë se rivaliteti i bën mirë garës. Por, asesi të tejkalohen kufijtë e të së lejuarës!

Dihen kushtet për zhvillimin e një ndeshje, është e qartë se çka kanë të drejtë tifozët dhe çka jo. Fundja, futbolli luhet për spektatorët. Por kur këta të fundit ndikojnë drejtpërdrejtë për ndërprerjen e një ndeshjeje, atëherë është e qartë se është kaluar vija e kuqe.

Shkëndija bën thirrje publike te të gjitha palët e përfshira që të reflektojmë thellë e sinqerisht dhe që në këtë moment të ndalojmë këtë urrejtje, që po na turpëron pa përjashtim të gjithëve. Ne si klub ofrojmë bashkëpunim maksimal me të gjithë për krijimin e një klime sportive dhe korrekte. T’u gëzohemi në mënyrë dinjitoze sukseseve brenda kufijve të rregullave dhe respektit për gjithë përbërësit e garës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë