Nga Gazeta ‘SI’ – Në prezantim të projektbuxhetit 2023, kryeministri Edi Rama theksoi se synimi i tij është mbrojtja e familjeve, sidomos nga fatura e energjisë, për të cilën do të shtohen 12 mld lekë, përveç fondit të BE-së dhe se qeveria do të vazhdojë financimin e 80% të kësaj kostoje.
Rama theksoi se nuk do të ketë ndryshime në propozimin për vendosjen e penaliteteve të forta për biznesin e madh, siç thuhet në paketën fiskale 2023 dhe as për unifikimin e akcizës së birrës, për të cilën deri tani “kemi kundërshtuar edhe FMN-në”.
Pa detaje, Rama përmendi se synohet rritje tjetër e pagës minimale, përjashtimi nga tatimi deri në 500 mijë lekë.
“Do mbështesim familjet dhe individët që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Kosto rreth 25.5 mld lekë për 2023. Risi në këtë vit që vjen, përveçse do të dyfishojmë, për nënat me dy apo më shumë fëmijë dhe të moshuarit që nuk marrin pension pleqërie. Nënat papuna për 3 ose më shumë fëmijë do paguajmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, një fëmijë deri në moshën 5 vjeç. Vijojmë me bonusin e bebes, 2.2 mld lekë fond. Përveç indeksimit të pensioneve, do vijojmë me bonusin e fund vitit, do ua japim në fillim të dhjetorit. Në buxhetin e ri kemi sërish bonusin e fund vitit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë ripërsëriti se biznesi i vogël është aleati më i madh i qeverisë dhe se tatohet me 0% e kështu do të vazhdojë deri më 2029-n.
“Rritja ekonomike është më e madhe se rritja e borxhit. Ky buxhet është sa dyfishi i atij të vitit 2013”,- tha kryeministri.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pas fjalës së kryeminsitrit, tha se ligjet e paketës fiskale 2023 janë të porositura dhe se synohet gjobitja dhe përfitimi selektiv, sipas bizneseve.
“Sistemi i taksimit që përdoret ia kalon të gjithë barrën shtresës së mesme. Atyre që punojnë dhe mbesin të varfër. Ky nuk është buxhet për familjet. Buxheti i vetëm që në periudhë krize rrit taksat duke shtuar gjobat e presin të marrin 380 mln euro nga presioni i qeverisë. Nuk është rritur buxheti, por gjobat. Taksat do rriten me 130 mln euro, aq sa vlera që shkon për PPP-të në 2023-shin . Taksimi progresiv ka vdekur. Thatë se deri në 2029-n, biznesi i vogël nuk do të tatohet, por në 2029-n do të paguajë 15% taksë, sa biznesi i madh. Po flisni për Amnisti që ndihmon evazorët dhe do të gjobisni taksapaguesit”, -tha deputetja Tabaku.
Ajo përmendi dhe se qeveria shqiptare është e vetmja që merr borxh për të shlyer një tjetër, referuar Eurobondit, interesat për të cilin kanë arritur 3.3% të PBB-së, sipas Tabakut.
“Buxheti është i masakruar nga korrupsioni, PPP, ka rritur borxhin e fshehur. Paguajmë ende për rindërtimin dhe s’kemi asnjë transparencë. Çmimi i energjisë në bursë është më i ulët se një vit më parë. Edhe pse qeveria për energjinë elektrike ka vendosur në dispozicion sipas saj 100 mln euro për vitin 2022 sërish shqiptarët shohin me sytë nga ekrani me shpresën që qeveria përmes Noterit ERE të shtyejë vendimin për fashat dhe për rritjen e energjisë. Mishi sot është thuajse 15% më shtrenjtë se sa një vit më parë, produktet e bulmetit dhe qumshtit janë shtrenjtuar në thuajse 25% në raport me një vit më parë. Bujqësia ka rezultuar me rënie. Dhe ju pyesni pse largohen shqiptarët”, – u shpreh deputetja.
Ajo kritikoi dhe gjuhën e përdorur nga kryeministri Rama drejtuar deputetëve të PD-së, ku i quante “gjela deti”, “bedele”, “këlyshë” dhe “llazore”. Sipas Tabakut, Rama e përdor këtë gjuhë sa herë mbron një aferë.
“Sa herë shthuret gjuha. Sa herë përdoret ky fjalor, dihet se po mbrohet një aferë. Sa herë rritet krimi, droga. Ju kujtohet droga me avionë? Kjo gjuhë tregon nivelin e politikbërjes se kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Tregon edhe këtë mënyrën e vjetër të politikës që ka kapur për fyti që ka kapur parlamentin, politikën. Llumin ku është politika shqiptare. Nuk e kam lexuar dokumentin e portit të Durrësit, se po luftojmë për transparencë, ky sulm nuk mund të justifikohet me asgjë. E njëjta gjuhë u përdor edhe për inceneratorin e Elbasanit, një ish deputet i PS është rikthyer në qeli sot. Kjo gjuhë shpjegohet vetëm pas asaj që po ndodh pas dyerve të SPAK-ut”, tha Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



